“Harvey” iku, erdhi “Irma”, uragani më i fuqishëm i dekadës drejt Floridës
Uragani Harvey iku, por ShBA-të nuk kanë kohë të marrin veten, pasi një tjetër uragan i është drejtuar Floridës...

Uragani “Irma”, stuhia më e fuqishme e një dekade në Atlantik, i është drejtuar Amerikës. Në Florida dhe Karaibe kanë nisur evakuimet masive për shkak se uragani “Irma” është kthyer në një stuhi të rrezikshme të kategorisë 5, niveli më i lartë ekzistues, me erëra që mbërrijnë shpejtësinë 295 km për orë.
Shumë shkolla janë mbyllur, rrugët janë boshatisur, ndërsa aeroportet kanë anuluar fluturimet dhe janë mbyllur në disa ishuj. Mëngjesin e sotëm, syri i uraganit i cilësuar katastrofik, u përplas në Barbuda vetëm disa orë pasi zyrtarët paralajmëruan njerëzit të kërkojnë mbrojtje nga “Irma”.
Në Key Uest të Floridës autoritetet kanë lëshuar një urdhër detyrues evakuimi. Presidenti, Donald Trump, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Florida, Puerto Riko dhe Ishujt Virxhine, duke mobilizuar kështu edhe agjencitë federale që ndërhyjnë në rast katastrofash natyrore.
Pjesë të Teksasit dhe Louisianës vazhdojnë të bëjnë llogaritë me dëmet që la pas uragani “Harvey”, por nuk është ende e qartë se çfarë impakti do të ketë “Irma” në territorin kontinental amerikan, i cili nuk është goditur asnjëherë brenda një sezoni nga dy uraganë të kategorisë së katërt, që kur nisi për herë të parë regjistrimi i stuhive në vitin 1851.
Një stuhi e tretë tropikale u formua në Atlantik pas “Irmës”, ai “Jose”, e pritet që edhe ai të shndërrohet në uragan më vonë gjatë javës.
