Maqedoni

Shtohet numri i divorceve, fëmijët keqpërdoren si “armë” nga prindërit; Fëmijët me nevoja të posaçme, prindërit: të përfshihen në Ligjin për familjen

06.09.2017 15:52

Ata që vuajnë nga divorci i prindërve janë fëmijët. Përveç dhimbjes shpirtërore, shpesh mbas divorcit...

Ata që vuajnë nga divorci i prindërve janë fëmijët. Përveç dhimbjes shpirtërore, shpesh mbas divorcit, prindërit nuk përmbushin obligimet e tyre ligjore ndaj fëmijëve.
 
Iniciativa qytetare për të drejta të barabarta të prindërve pas divorcit dhe Iniciativa qytetare “12 pa 5” kërkojnë zgjidhje sistemore të këtij problemi. Ata kërkojnë gjithashtu edhe një ligj të veçantë për fëmijët me nevoja të veçanta, që do të përfshijë edhe prindërit apo kujdestarët e tyre. 
 
“Në takimin e fundit në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale ju kemi bërë me dije këtë problem dhe ata duhet vetëm të kenë vullnet, të përfundojë ky problem dhe njëherë e përgjithmonë të ndalen prindërit që të përdorin fëmijët si armë për zgjidhjen e problemeve të tyre”,- u tha nga Iniciativa për prindër të përbashkët dhe përgjegjës, Naum Ribarovski.
 
Më rëndë e kanë nënat e divorcuara që përkujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kur nuk e kanë edhe mbështetjen e prindit tjetër gjërat vështirësohen, thonë ato. Më të rëndë gjendjen e bën refuzimi që shoqëria i bën këtyre fëmijëve.
 
“Të gjithë së bashku duhet të përballemi me faktin se këta fëmijë nuk pranohen nga mjedisi dhe shoqëria. Fëmijët janë të margjinalizuar dhe prindërit e tyre janë të destinuar të jenë raste sociale. Këtyre fëmijëve duhet t'u jepet një shans. Fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara nuk janë aspak në Ligjin e familjes. Ky ligj është shkruar në 60 faqe dhe nuk përmenden fëmijët e tillë fare. Nevojitet një ligj krejtësisht i ri në të cilin të drejtat e fëmijëve dhe prindërve do të përcaktohen në përputhje me rrethanat”,- theksoi nënë vetushqyese, Suzana Stojanovska.
 
Iniciativën e këtyre shoqatave e mbështet edhe Ambasada e fëmijëve “Megjashi”. Statistikat e fundit tregojnë se ka 2,000 divorce në vit, prandaj duhet rregulluar e drejta dhe përgjegjësitë për mbajtjen dhe edukimin e fëmijëve.
 
GYLTENE SINANI