Maqedoni
100 ditëshi i qeverisjes, Musliu: Arritje ka, por nën pritshmëritë
06.09.2017 16:10
Arritjet e kësaj qeverie në 100 ditëshin e punës së saj gjithsesi janë nën pritshmëritë e qytetarëve...

Arritjet e kësaj qeverie në 100 ditëshin e punës së saj gjithsesi janë nën pritshmëritë e qytetarëve, pasi ata kanë pritur ndryshime radikale brenda tre muajve, gjë që nuk është e mundur. Kështu vlerëson analisti politik, Albert Musliu. Sipas tij, takimet në plan ndërkombëtar dhe marrëveshjet për fqinjësi të mirë janë punët më pozitive të regjistruara në këtë 100 ditësh.
“Disa prej ndryshimeve që janë bërë duhet përshëndetur, veçanërisht në sferën e politikës së jashtme kemi pasur disa lëvizje, sferën e ekonomisë, rritjen e rrogave etj. Arritja më e madhe është ajo që i debllokoi marrëdhëniet me partnerët tanë euroatlantik, përmbyllja e marrëveshjes me Bullgarinë, zbutja ose marrja e një avantazhi ndaj Greqisë, mendoj se janë arritje që për një afat ekstrem të shkurtër u arritën edhe i dhanë një optimizëm gjithë atij procesi të integrimeve euroatlantike. Ndryshime të mëdha ligjore nuk kanë mundur edhe të bëhen, nuk mund edhe të presim reforma radikale në gjyqësor për tre muaj, por u shkarkua prokurori publik dhe disa iniciativa të mira kanë filluar”,- deklaroi analisti, Albert Musliu.
Musliu vlerëson se në të ardhmen prioritet gjithsesi duhet t’i jepet gjyqësorit, zhvillimit ekonomik dhe reformat në administratë.
“Prioritet gjithsesi duhet t’i jepet gjyqësorit, ngase prej gjyqësorit varet ajo se a do të kalojnë disa persona pa përgjegjësi apo do të përgjigjen për të gjitha ato keqpërdorime të cilat i kanë bërë, duhet të stabilizohet administrata, ato që kanë duhet të marrin përgjegjësi, t’u sigurohet ambient pune pjesës tjetër të administratës etj. Definitivisht në ekonomi duhet të bëhen hapa ma me kurajo”,- theksoi analisti, Albert Musliu.
Kryeministri Zaev e cilësoi 100 ditëshin e qeverisë si shumë të suksesshëm, ndërkohë që ekspozeja e kreut të ekzekutivit u kritikua nga VMRO, që e vlerësoi si të mbushur me gënjeshtra dhe akuzoi qeverinë për zgjedhje të dështuara kuadrovike, rrënim të institucioneve dhe dështim në ekonomi.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
