Maqedoni
Zhvillim i (pa)barabartë rajonal, strategji për të ndalur dyndjen drejt qyteteve
06.09.2017 16:29
Qytezat dhe fshatrat e Maqedonisë po zbrazen. Popullata gjithnjë e më shumë iu drejtohet qyteteve...

Në 30 deri 40 vitet e fundit një e treta e popullatës së tërë shtetit jeton në Shkup. Zëvendëskryeministri, Koco Angjushev, thotë se qendrat rajonale duhet të përkushtohen më shumë për të ofruar projekte cilësore për zhvillim të barabartë rajonal dhe premtoi kontroll të rreptë për të parandaluar korrupsionin në shfrytëzimin e këtyre mjeteve.
“Ne jemi para një sfide për të bërë projekte të mira dhe të jemi të sigurtë se paratë do të përfundojnë në vendin e duhur dhe me këtë rast të tentojmë ta shuajmë korrupsionin gjatë shfrytëzimit të atyre projekteve”,- tha zëvendëskryeministri, Koco Angjushev.
Nga viti 2009 deri në vitin 2017 janë shpenzuar 1 miliardë denarë për 560 projekte, të cilat sipas ministrit për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliut, nuk i kanë dhënë rezultatet e pritura. Për të arritur rezultate të mira ai thotë se duhet që të ndahet një përqindëshi i BPV-së.
“Qëllimi ynë është të sigurojmë shpërndarje efektive dhe transparente të një për qindëshit të BPV-së për projekte reale, që do të kishte ndikim të vërtetë në zhvillimin e rajoneve planore. Të gjitha të dhënat tregojnë se mënyra e tanishme e politikave zhvillimore në shtet dhe tejkalimi i dallimeve në cilësinë e jetës nuk i kanë dhënë rezultatet e pritura”,- theksoi ministri i Pushtetit Lokal, Suhejl Fazliu.
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale tashmë ka filluar përgatitjet për strategjinë e zhvillimit të barabartë rajonal për periudhën 2020 – 2030.
ERSAN PAJAZITI
