Maqedoni
Zgjedhjet lokale, partitë në fazë të përzgjedhjes së kandidatëve
06.09.2017 16:57
Ashtu siç afrohet skadimi i afatit për dorëzimin e kandidaturave në KShZ, partitë politike kalkulojnë me kandidatë për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 15 tetorit...

Veç zyrtarizimit të kandidaturave për Kërçovën, Çairin dhe Studeniçanin, jozyrtarisht flitet se BDI në Tetovë dhe Gostivar do të kandidojë me krerët e deritanishëm, Teuta Arifin dhe Nevzat Bejtën. Ish-ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, përflitet si kandidat për komunën e Sarajit, ndërkaq Fatmir Izairi për komunën e Zhelinës.
Edhe Lëvizja “Besa” ende nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidaturë, ndonëse përflitet emri i kreut të partisë, Bilall Kasamit, për komunën e Tetovës dhe Bekim Salit për komunën e Çairit. Aleanca për Shqiptarët në Gostivar do të garojë me Arben Taravarin, ndërsa emrat e tjerë do t’i publikojnë gjatë ditëve në vijim, njoftojnë nga kjo parti.
Ndërkaq, në partinë e Thaçit veç emrave të kandidatëve për Studeniçanin dhe Likovën, ende emrat e tjerë janë në fazë të spekulimeve.
LSDM-ja është e vetmja parti e cila deri më tani ka shpallur numër të madh të kandidaturave edhe atë mbi 25 kandidatë për komunat e caktuara të vendit. Ndër të tjera, LSDM ka kandiduar nënkryetarin dhe deputetin e saj, Petre Shilegovin, për kryetar të Qytetit të Shkupit. Pos LSDM-së, partitë tjera, përfshi edhe ato shqiptare, ende nuk kanë shpallë kandidatura për Qytetin e Shkupit.
Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, ndërkohë, publikoi emrat e disa kandidatëve për kryetarë komunash edhe atë për Prilepin, Bërvenicën, Demir Kapinë, Novacin, Gjorçe Petrovin, Gostivarin, Tetovën, Radovishin dhe Vevçanin.
Por, derisa partitë kalkulojnë apo zyrtarizojnë emrat, “Platforma për barazi gjinore” nëpërmjet një letre të hapur ka kërkuar përfaqësim të drejtë të femrave në listat zgjedhore. “Vetëm në atë mënyrë mund të zvogëlohet mosdurimi midis gjinive”,- thuhet mes tjerash në letrën e tyre.
NAIM RAMADANI
