Maqedoni

Emërimi i kryeprokurorit të ri, nxehet debati mes pozitës dhe opozitës në kuvend

06.09.2017 16:46

Emërimi i kryeprokurorit të ri u bë “mollë sherri” për pozitën dhe opozitën në Kuvend...

VMRO-DPMNE vlerëson se për momentin nuk ka mundësi as për shkarkime e as për emërime dhe kërkon që pika e konkursit për kryeprokuror të hiqet nga rendi i ditës. Deputetët e opozitës akuzojnë se me procedurën për shpalljen publike shkelet neni i ligjit, të cilin, sipas tyre, vetë LSDM ka kërkuar të futet në Kodin Penal.
 
“Ne nuk e kemi problem se kush do të jetë prokuror publik, sepse edhe gjatë shkarkimit të tij thamë që prokurori publik i Republikës së Maqedonisë personalisht  nuk  ngre akuza, por ai vetëm menaxhon institucionin. Ne jemi kundër mënyrës në të cilën ajo bëhet dhe kundër shkeljes së ligjit që u bë praktik në kuvend. Kërkoj që kjo pikë të tërhiqet nga rendi i ditës dhe e njëjta të vendoset në rend dite pas zgjedhjeve”,- deklaroi Ivan Ivanov nga VMRO-DPMNE.
 
Shumica parlamentare  e kryesuar nga LSDM konsideron se nuk është shkelur asnjë ligj dhe akuzojnë opozitën se kështu tentojnë të pengojnë fillimin e funksionimit të drejtësisë.
 
“Gjithmonë kur ne si shumicë parlamentare lirojmë ventil pas ventilit në gjithë atë  mekanizëm që ndërtuat për 11 vite me radhë në institucionet e Maqedonisë, ju ketë vazhdoni me kësi lloj diskutimesh të panevojshme të cilat vetëm shërbejnë për blerjen e kohës, një ditë dy, ndoshta edhe 10, por përsëri e dini se drejtësia vjen gjithmonë në kohën e duhur, dhe do të vijë. Mos u shqetësoni ne këtu a bëjmë shkelje të ligjit dhe kushtetutës, sepse kjo nuk është e vërtetë dhe ju jeni të vetëdijshëm për këtë”,- tha Zhaklina Llazarevska nga LSDM.
 
Parlamenti i RM-së shkarkoi prokurorin Zvrlevski me 17 gusht të këtij viti. Për shkarkimin e tij votuan 64 deputetë. Partia opozitare VMRO-DPMNE nuk ishte e pranishme gjatë votimit.
 
SANIJE DURAKU