Maqedoni

Zgjidhet problemi shumëvjeçar, Shutka më në fund me gjinekologe amë

06.09.2017 17:17

Ambulanca gjinekologjike në Shutkë më në fund filloi të funksionojë. Gratë e kësaj komune, shërbimet gjinekologjike do t’i marrin nga mjekja, Vjollca Mbiarra...

Ambulanca gjinekologjike në Shutkë më në fund filloi të funksionojë. Gratë e kësaj komune, shërbimet gjinekologjike do t’i marrin nga mjekja, Vjollca Mbiarra, specialiste me përvojë shumëvjeçare në spitalin amerikan të Tiranës.
 
Punësimi i saj zgjidh problemin e banorëve të kësaj komune, ku edhe vdekja e foshnjave ishte 25% më e lartë se mesatarja nacionale për shkak të mungesës së kontrolleve të rregullta në gjinekologjike.
 
“T’i informojmë në lidhje me infeksionet, rininë, shoh se kontracepsioni këtu është i lënë pas dore, ndërsa në Shqipëri kemi të zhvilluar goxha, fillimin e shtatzënisë ta përcjellim dhe deri në lindje, në varësi prej grupmoshave, besoj se do ia dalim”,- u shpreh gjinekologia, Vjollca Mbiarra..
 
Pacientet janë të kënaqura që pas kaq vitesh më në fund do të mund të marrin shërbimin e duhur mjekësor. Mjekët më parë ndërroheshin shpesh dhe me faktin që nuk ishte gjinekologu i tyre amë nuk ju shkruante dot terapitë adekuate apo nuk u jepte dot udhëzime për analiza të mëtejshme.
 
“Ka shumë gra që janë kontrolluar në Zhelezarë, është mëkat, ka familje që janë raste sociale dhe nuk kanë se si t’i paguajnë kontrollet, tani fakti që do kemi gjinekolog na gëzon”,- u shpreh një paciente.
 
“Gjithë Shuto Orizara ka udhëtuar në Çair ose Bit Pazar për kontrolle gjinekologjike, sepse ajo parandalon infeksionet, shtatzëni të padëshiruara, kontracepsioni, tani jemi shumë të lumtur që kemi gjinekolog”,- tha një paciente.
 
Hapja e ambulancës u la pikërisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku sipas ligjit funksionarët nuk guxojnë të presin shirita promovues  apo bëjnë punësime të reja.
 
Por, autoritetet u arsyetuan se stërzgjatja e hapjes së ambulancës, që u paralajmërua që në korrik, u shty sepse u stërzgjat procedura e nostrifikimit të diplomës dhe licencës për punë nga ana e mjekes. 
 
“Problemi nuk ka qenë te ne si institucion, ne deri tani kemi hapur gjashtë konkurse, ku kemi kërkuar që të paraqiten, gjinekologjia është privat te ne, është vetëm si koncesion dhe në nëntor të 2016-s u paraqit doktoresha të cilës duhej t’i nostrifikohet diploma dhe shumë dokumente tjera, dhe tani është momenti kur përfunduan të gjitha procedurat dhe prej nesër do fillojë punën me pacientë”,- theksoi drejtori i Shtëpisë së shëndetit, Besim Koka.  
 
Ministri Taravari premton zgjidhje të problemeve kudo ku ka mungesë mjekësh.
 
“Shpresoj se kjo ambulancë të funksionojë ashtu siç duhet, shpresoj që pacientët të jenë të kënaqur dhe shpresoj se në të ardhmen do zgjidhim mungesën me gjinekologë në tërë rajonin”,- tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Mungesë të gjinekologëve amë ka edhe në shumë komuna, por me ndryshimin e Ligjit për mbrojtje shëndetësore parashihet që gjinekologëve ekzistues t’u lejohet të punojnë me orar shtesë në mënyrë që të ketë mjaftueshëm gjinekologë.
 
FLUTURA LATIFI