Maqedoni
100 ditëshi i qeverisë, “Besa”: Qeveri e re, avaz i vjetër; VMRO-DPMNE: Qeveria të zbardhë rastet “Monstra” e “Sopoti”
06.09.2017 18:00
Lëvizja “Besa” ka analizuar 100 ditëshin e qeverisë, duke e cilësuar si qeveri që për interesa politike dëmton interesin e qytetarëve...

Vazhdon partizimi i institucioneve, partitë në pushtet vazhdojnë të jenë ent punësimi, duke anashkaluar profesionalizmin, menaxhimi i financave publike përmes rebalancit sërish u bë duke mos marrë parasysh qytetarët, akuzojnë nga “Besa”.
“Në këtë mënyrë u dëmtuan në veçanti rajonet me shumicë shqiptare, qoftë duke lënë institucione arsimore në mëshirë të motit, qoftë duke hequr mjete financiare nga institucionet që drejtohen nga shqiptarët ose duke mos ndarë mjete për realizimin e projekteve të jetës elementare infrastrukturore të vendbanimeve shqiptare”,- deklaroi Bilall Kasami nga Lëvizja “Besa”.
“Besa” akuzon edhe për drejtësi selektive me moszbardhjen e rasteve të montuara ndaj shqiptarëve, siç është rasti “Monstra”. Edhe propozim ligjin për avancimin e gjuhës shqipe, “Besa” e cilëson si përfitim politik, por jo zgjidhje të problemit.
Edhe VMRO vlerëson se Qeveria ka shkelur çdo premtim të dhënë në fushatën zgjedhore. Edhe nga partia e Gruevskit rikujtuan qeverinë të mbajë premtimet dhënë shqiptarëve për zbardhjen e rasteve të montuara, madje rikujtoi qeverinë të mbajë premtimin dhënë shqiptarëve për zbardhjen e rasteve “Monstra” dhe “Sopoti”.
“Kjo Qeveri kishte premtuar që mbi të gjitha do t’i përmirësojë marrëdhëniet ndëretnike dhe do të ndërtojë ura ndërlidhëse. Në vend të kësaj, kjo Qeveri po instalon kushte për trashjen e mosbesimit mes bashkësive etnike dhe institucioneve shtetërore. T’u rikujtoj se kishte premtime se do të zbardhen rastet si “Monstra” dhe “Sopoti”, premtime nga funksionarë të lartë të LSDM-së, por deri më tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim”,- u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Sipas partisë më të madhe opozitare, Qeveria ka dështuar në reforma, ndërsa ka pasur sukses në rënien ekonomike dhe largimin e investitorëve të huaj.
GAZMEND KURTISHI
