Maqedoni

Pr/ligji për përdorimin e gjuhëve, akuza VMRO - LSDM, RDK: Ligji përmbyll MO-në

06.09.2017 18:15

Polemika të ashpra mes pozitës dhe opozitës në Komisionin për çështje evropiane ku vazhdon debati rreth propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve...

Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ligji po kontrabandohet pa debat publik dhe diskriminon gjuhët e bashkësive të tjera etnike.
 
“Me miratimin e këtij ligji thellohet hendeku dhe zvogëlohet besimi. Pasi miratimi kontrabandues i këtij ligji, pa e konsultuar opinionin më të  gjerë, pa mendim nga Taki Fiti dhe Akademia e Shkencës, pa mendim nga Fakulteti Filologjik, pa mendim nga Instituti për gjuhë maqedonase, pa dhjetë debate publike, pa shpjegim të këtij ligji në secilën komunë që do të bëhet dygjuhësore, përfshirë këtu edhe Prilepin, Pehçevën, Berovën dhe Kratovën nuk zvogëlohet hendeku, por rritet”,- deklaroi Dimitar Stevananxhija nga VMRO-DPMNE.
 
Mirëpo deputetët e shumicës konsiderojnë se VMRO vazhdon me politikën ditore duke rikthyer tema të paqena dhe duke mbjellë frikë te qytetarët. Sipas deputetit të LSDM-së, Petre Shilegov, ligji nuk pengon as përdorimin e gjuhës maqedonase dhe as përdorimin e gjuhëve të bashkësive tjera etnike. Ai tha se qasja e këtillë dhe ky ligj sigurojnë ekzistencën e Maqedonisë.
 
“Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve është ligj që do të sjellë homogjenizim, paqe dhe stabilitet në shoqëri në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndëretnike, pasi askush nuk do ta kufizojë maqedonasin në përdorimin e gjuhës së tij, në asnjë mënyrë nuk pendohet përdorimi i gjuhës zyrtare maqedonase”,- tha Petre Shilegov nga LSDM.
 
“Ju kisha lutur që të gjitha partitë politike shqiptare e maqedonase, opozitare dhe pozitare, të përkrahin miratimin e këtij ligji dhe ta mbyllim këtë moment të fundit të MO-së që sot e kësaj dite ende nuk është implementuar”,- u shpreh Vesel Memedi nga RDK.
 
Debati për propozim ligjin për gjuhët, i cili është në lexim të parë, në Komisionin për Çështje Evropiane, përfundon nesër, për të vazhduar në seancë plenare. Me propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve avancohet përdorimi i gjuhës shqipe.
 
SHPËTIM NUREDINI