Analistët me vlerësime të ndara për bojkotin e opozitës

13.06.2014 18:48

As qëndrimi i Brukselit kundër bojkotimit të institucioneve, as ftesa e shumicës parlamentare nuk e ka nxitur opozitën maqedonase që të ndryshojë qëndrimin dhe të kthehet në Kuvendin Republikan.........

As qëndrimi i Brukselit kundër bojkotimit të institucioneve, as ftesa e shumicës parlamentare nuk e ka nxitur opozitën maqedonase që të ndryshojë qëndrimin dhe të kthehet në Kuvendin Republikan.

Sipas analistit, Ismet Ramadani, opozita e ka kuptuar se kthimi i saj nuk do të ndikojë në përmirësimin e debatit parlamentar dhe as në ndryshimin e theksuar të projekteve ligjore që do të shkonin në dobi të shoqërisë.

“Opozita maqedonase sado që provoi të kthehet në Parlament, në fund doli se nuk pat ndonjë dobi për t’i ndihmuar parlamentarizmit, dialogut, zhvillimeve demokratike. Dhe duke e parë këtë, ata sigurisht janë më të vendosur për të ngel jashtë, tek e fundit edhe në heshtje, vetëm e vetëm për të bindur faktorin ndërkombëtar dhe të brendshëm, se këtu ka një regjim të cilin e ekzekuton me të gjitha mekanizmat dhe instrumentet kryeministri Gruevski”, deklaroi analisti Ismet Ramadani.

Në një situatë të tillë, BDI duhet të bëjë opozitën brenda Qeverisë, thotë Ramadani, pasi funksionimi jashtëparlamentarë i LSDM-së e bën VMRO DPMNE-në që të jetë më elastike në marrëdhëniet me partnerin shqiptar.

Ndërkaq, analisti Ivica Bocevski vlerëson se opozita maqedonase nuk ka strategji se si të rikthehet në pushtet, ndërkaq, me bojkotin kanë dëmtuar elektoratin, i cili pret që deputetët e LSDM-së të mbrojnë interesat e tyre në Kuvend.

 “Vlerësoj se ashtu siç do të kalojë koha, ashtu siç do të ftohen kokat e nxehta, pas zgjedhjeve, ashtu do të kuptohet se LSDM nuk ka asnjë strategji, se LSDM nuk di ç’farë të bëjë në sekondën e radhës, e jo më të nesërmen. Të mos flasim se ç’farë do të bëjë për një muaj, dy, apo gjashtë muaj. Ose për mundësinë për të marrë përgjegjësinë për këtë Shtet”, theksoi analisti Ivica Bocevski.

Sipas Bocevskit, qëndrimi i LSDM-së që nga njëra anë të bojkotojë institucionet dhe nga ana tjetër deputetët të marrin rroga, ndërsa ish-deputetët apanazhë, flet për mungesën e moralit politik të kësaj partie.

Ndërkaq, Ramadani thotë se e drejta për apanazhë është e drejtë ligjore, ndërsa pushteti ka për qëllim që të bëjë presion, ose të ndikojë në vendimin e opozitës përmes rrogave, apanazheve, ose lakmive të tjera. (Shpëtim Nuredini, TVM2)