“Irma” shkatërron Karaibet, 9 të vdekur, uragani drejt Floridës
07.09.2017 10:29
Me erë me shpejtësi prej 295 km/h, uragani “Irma” ishte shkatërrues për Karaibet...

Banesa të tëra janë kthyer në gërmadha e 9 persona kanë humbur jetën. Prej uraganit të kategorisë së pestë, niveli më i lartë në shkallën e matjes së fuqisë së stuhive, ishulli i vogël i Barbudës është pothuajse i pabanueshëm dhe territori francez i Sant Martinit është rrafshuar gati krejtësisht. Me gjasa edhe bilanci i viktimave do të rritet, ndërkohë që autoritetet përllogarisin me saktësi dëmet e shkaktuara nga “Irma”.
“Më duhet ta pranoj se kam vetëm lajme të këqija. Ajo që pamë pas kalimit të uraganit ishte shkatërruese për të gjithë. Shkatërrimi në Barbuda është i paprecedentë”,- deklaroi kryeministri i Antiguas Dhe Barbudas, Gaston Browne.
Më shumë se 3 milionë banorë të ishullit kanë mbetur pa energji. Zyrtarët thonë se për ditë të tëra banorët mund të mos kenë akses në energji elektrike. Qeveria amerikane po monitoron rrugën që po ndjek stuhia më e fuqishme e Atlantikut në një dekadë. Sipas parashikimeve, “Irma” mund të godasë shtetin e Floridës gjatë fundjavës. Nisur nga ky fakt, autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës dhe kanë nisur evakuime masive të turistëve dhe banorëve në zonat ku uragani mendohet të kalojë.
Një tjetër stuhi, e quajtur “Jose”, është krijuar tashmë në Atlantik. Edhe pse rruga e kësaj stuhie nuk është ende e qartë, meteorologët mendojnë se mund të kalojë në zona tashmë të prekura nga uragani “Irma”.
