Maqedoni
Koalicioni i organizatave rinore “Tani”, trajnim për të rinjtë shfrytëzues të ndihmës sociale
07.09.2017 16:15
Të rinjtë, shfrytëzues të ndihmës sociale, nga Shkupi, Shtipi, Manastiri dhe Prilepi do të mund të ndjekin trajnime për të fituar aftësi për punësim...

Kjo parashihet në projektin për përmirësimin e inkluzionit social të grupeve të rrezikuara, i cili ka për qëllim të lehtësojë përfshirjen sociale të të rinjve përmes krijimit të mundësive të barabarta për qasje deri te tregu i punës.
“Është një numër i madh i personave të cilët duhet të përgatiten për tregun e punës dhe pikërisht përmes këtij projekti tentojmë të arrijmë këtë qëllim në Shkup, Shtip, Manastir dhe Prilep. Janë përgatitur rreth 20 trajnues të specializuar nga sektori civil që do t’i këshillojnë këta persona për të gjetur punë sa më lehtë”,- deklaroi Zoran Ilievski nga Koalicioni i organizatave rinore “Tani”.
Sipas hulumtimit të Koalicionit të organizatave rinore “Tani”, rreth 4.000 persona të rinj janë shfrytëzues të asistencës sociale. Një pjesë e madhe e tyre kanë vështirësi të punësohen për shkak të mungesës së aftësive dhe arsimit adekuat, ndërsa të tjerët druajnë se mund të humbin të drejtën e shfrytëzimit të ndihmës sociale.
“Ajo që rezultoi nga hulumtimi ynë është se për këta persona të rinj nga kategori të rrezikuara, përveç arsimit që është faktor kyç për hyrjen në tregun e punës, janë të rëndësishme edhe trajnimet shtesë për të pasur aftësi për qasje më të lehtë. Do ta theksoja edhe nevojën për ndihmën dhe motivimin shtesë psikologjik të të rinjve nga ana e qendrave për punë sociale”,- tha këshilltarja e jashtme e projektit, Katerina Jovanovska.
Projektit për përmirësimin e inkluzionit social përmes përforcimit të punësimit “Dera e hapur – për të rinjtë nga të rinjtë” është mbështetur edhe nga institucionet.
REXHEP QAMILI
