Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Kadri Veseli zgjidhet kryetar i Kuvendit

07.09.2017 16:21

Me 62 vota për dhe 52 kundër, Kadri Veseli u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës...

Me 62 vota për dhe 52 kundër, Kadri Veseli u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Zgjedhja e Veselit u bë e mundur pasi AKR e Bexhat Pacollit u shkëput nga koalicioni me LDK-në dhe iu bashkëngjit koalicionit PDK, AAK dhe NISMA.

Veseli, i cili u zgjodh për herë të dytë në postin e kryeparlamentarit, pasi mori zyrtarisht detyrën tha se

do të përpiqet që zyra e kryetarit të Kuvendit të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve për unitet kombëtar, për bashkëpunim dhe mirëkuptim mes forcave politike parlamentare.

“Së bashku mund dhe duhet ta kthejmë Kuvendin e Kosovës nga vend inatesh personale në vend bashkëpunimi, nga shesh akuzash në forum idesh e ligjesh për zhvillimin e vendit. Nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të orientohemi në çështje të interesit strategjik të vendit, forcimin e shtetit, rikthimin e madh të besimit qytetar në institucione dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarit tanë”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli po ashtu ka ftuar të gjitha partitë parlamentare që t’i harmonizojnë qëndrimet në, siç tha ai, pesë çështje jetike për progresin e Kosovës, siç janë: implementimi i reformave që mundësojnë zhvillim ekonomik dhe punësim, implementimin e reformave në arsim dhe shëndetësi, krijimin e Ushtrisë së Kosovës, implementimin e kritereve për liberalizimin e vizave, si dhe agjenda e integrimit euroatlantik dhe dialogun me Serbinë.

Por, derisa Veseli e mbajti fjalimin, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së e kanë lëshuar sallën, pasi ata paraprakisht votuan kundër zgjedhjes së Veselit për kryetar të Kuvendit.

Pas konstituimit të Kuvendit i hapet rrugë edhe formimit të qeverisë. Siç bëri të ditur kryeparlamentari Veseli, mbledhja e Kuvendit për votimin e Qeverisë së të nominuarit për kryeministër, Ramush Haradinajn, pritet të mbahet të shtunën më 9 shtator.  (Gyltene Sinani, TVM2)