Maqedoni
Kuvend, Ligji për gjuhët kalon “sfidën” e parë
07.09.2017 17:14
Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili parasheh avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe, e kaloi “sfidën” e parë...

Me 9 vota “pro”, Komisioni për Çështje Evropiane miratoi konkluzionin që ligji t’i dorëzohet Kuvendit në seancë plenare, në lexim të parë.
Sipas pushtetit, me miratimin e këtij ligji avancohet një e drejtë natyrore e shqiptarëve dhe rritet kohezioni ndëretnik.
“Neve si deputetë të kësaj përbërje parlamentare na ka ra në hise ta diskutojmë e më pas ta miratojmë këtë ligj. A duhet shikuar kjo si fitore e njërës palë apo si humbje e palës tjetër?! Assesi se jo. Gjuha është e drejtë e natyrshme që i takon secilit etnitet pasi me këtë edhe vetë institucioneve dhe qytetarëve u lehtësohet puna e përditshme”,- deklaroi Ejup Alimi nga BDI.
“Lirinë më të madhe njeriu mund ta ndjejë nëse i ka të drejtat që i sigurohen nga Zoti, konventat ndërkombëtare dhe legjislativa vendore”,- tha Tomisllav Tuntev nga LSDM.
Mirëpo opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE pretendon të kundërtën. Sipas tyre, ligji është diskriminues dhe thellon hendekun mes bashkësive etnike.
“Në këtë ligj, liria e shprehjes sigurohet me dënime vetëm nëse nuk e flisni gjuhën shqipe”,- u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Opozita, madje, u përpoq të pengojë votimin e konkluzës në komision, përkatësisht deputeti, Antonio Milloshovski, gjatë procesit të votimit kërkoi ndërhyrje procedurale dhe vullnetarisht doli në foltore, pa ia dhënë fjalën kryetari i Komisionit, por kjo nuk e pengoi votimin.
Ndryshe, Ligji për përdorimin e gjuhëve, ndër të tjera, parasheh që emrat e institucioneve shtetërore të shkruhen edhe në gjuhën shqipe si dhe në gjuhën angleze; uniformat e policisë, zjarrfikësve, të shëndetësisë në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga gjuha maqedonase, do të shkruhen edhe në gjuhën shqipe; seancat e Kuvendit do të mund të udhëhiqen edhe në shqip etj.
SHPËTIM NUREDINI
