Botë

Kosovë, 27 vjetori i kushtetutës së Kaçanikut

07.09.2017 18:00

Kosova ka shënuar sot 27 vjetorin e shpalljes së Kushtetutës të Republikës së Kosovës...

Kosova ka shënuar sot 27 vjetorin e shpalljes së Kushtetutës të Republikës së Kosovës, e cila fuqizonte ligjërisht Deklaratën e Pavarësisë së 2 Korrikut, të mbajtur në Kaçanik, në vitin 1990.

Ky akt do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake për ta shpallur Kosovën njësi të veçantë në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave, njëkohësisht edhe pavarësimin e saj nga Serbia.

Kushtetuta e 7 shtatorit 1990 u pasua nga referendumi që u organizua prej 26 deri më 30 shtator të vitit 1991, në të cilin për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim. Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në Federatën jugosllave. 7 shtatori cilësohet edhe si identitet i historisë së re të Kosovës dhe njëra nga datat më të çmuara të Republikës së Kosovës.

NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU