“Irma”, 14 numri i të vdekurve, uragani drejt Kubës
Uragani “Irma” u përplas mbi ishujt Turks dhe Caicos pasi mbolli shkatërrim në mbarë Karaibet....

Uragani “Irma” u përplas mbi ishujt Turks dhe Caicos pasi mbolli shkatërrim në mbarë Karaibet, duke lënë të paktën 14 të vdekur. Fuqia e erërave të uraganit është ulur në 270 kilometra në orë, por stuhia e kategorisë së pestë, një ndër më të fuqishmet e regjistruara ndonjëherë, vazhdon të godasë pa mëshirë çdo gjë në rrugën e saj.
“Jemi shumë të shqetësuar me erën që nuk po e ul fuqinë, por është mbifuqi natyrore, nuk mund të bëjmë asgjë. Uragani 5 ballësh kaloi afër nesh me gjithë fuqinë e tij shkatërruese”,- deklaroi presidenti i Karaibeve, Clemente Orama.
“Irma” tani kërcënon ishujt Bahamas me përsëritje të skenarit të ferrit dhe ngritje të nivelit të detit deri në 6 metra mbi normalen. Banorët e 6 ishujve në Bahamas janë larguar dhe ky është evakuimi më i madh nga stuhia në historinë e vendit.
“E gjithë lagjja ime u mbush me ujë. Shiu që ra shtoi nivelin e ujërave përreth dhe ne u evakuuam. Jemi këtu ka dy ditë, morëm me vete vetëm disa rroba, të tjerat i shkatërroi uji”,- tha Josette Fils-Aime.
“Ne jemi 5 fëmijë. Nëna ime u largua që në fillim unë ndejta deri në fund. Na thanë të vijmë këtu të gjithë nga lagjja jonë, po nuk po e gjej dot familjen time”,- theksoi Telius Gustave.
Frika për jugun e Floridës po shtohet gjithmonë e më shumë. E gjithë ajo zonë, sipas meteorologëve, mund ta gjejë veten këtë fundjavë në syrin e stuhisë, edhe pse disa prej modeleve kompjuterike e projektojnë lëvizjen e uraganit më tepër në skajin perëndimor, çka jep një farë shprese se një pjesë e rajonit mbase do të kursehet nga një tërbim maksimal i motit.
Autoritetet megjithatë po përgatiten për më të keqen. Agjencia amerikane e emergjencave parashikon pasoja katastrofike.
Në rrugën e “Irmës” pas tyre është Kuba, ku turistët po largohen, ndërsa banorët e qyteteve bregdetare janë këshilluar të lëvizin drejt vendeve më të larta. Qendra e Uraganeve thotë se “Irma” do të vazhdojë të mbetet një stuhi e kategorisë 4 ose 5 për disa ditë. (Migena Gorenca, TVM2)
