Meksikë, tërmet prej 8.1 ballë, 33 të vdekur

08.09.2017 14:40

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.1 goditi bregun jugor të Meksikës....

Epiqendra e tërmetit ishte 87 km në jug-perëndim të qytetit Pijijiapan, në një thellësi prej rreth 70 kilometra. Një paralajmërim për cunami është lëshuar për Meksikën, Guatemalën, Salvadorin, Kosta Rikën, Nikaraguan, Panamanë dhe Hondurasin. Lëkundjet e fuqishme u ndjenë në kryeqytetin e Meksikës, Mexico, dhe zgjatën pothuajse 1 minutë.
 
Njerëzit dolën të tmerruar nga shtëpitë duke vrapuar në rrugë. Disa prej tyre thanë se lëkundjet nga tërmeti ishin aq të fuqishme, saqë menduan se pallatet do të rrëzoheshin menjëherë. Në disa zona të qytetit pati shkëputje të energjisë elektrike.
 
“Mund të dëgjoje ndërtesat se si kërcisnin, energjia elektrike iku, fillova të qaj sepse u frikësova shumë. Asnjëherë në jetë nuk kam përjetuar diçka të tillë. Kurrë nuk i kam dëgjuar muret e shtëpisë të kërcasin duke u shkatërruar”,- deklaroi banorja e zonës, Anahi Macias.
 
“Menjëherë e kuptova që ishte tërmet. Vesha xhaketën dhe dola jashtë. Kishte shumë njerëz në rrugë që dilnin nga shtëpitë me vrap. Ishte e tmerrshme”,- tha banori i zonës, Alonso Canovas.
 
Pas tërmetit 8.1 ballë, pati edhe disa tërmete të tjera në Paqësor që varionin nga 4.9 ballë në 5.7. Për ShBA-në nuk është dhënë asnjë paralajmërim për cunami. Ky tërmet ishte me të njëjtën fuqi si tërmetet që goditën vendin në vitin 1985 dhe 1995 e që shkaktuan mijëra të vdekur.
 
Bregu lindor i Meksikës sakaq po kërcënohet edhe nga afrimi i uraganit Katia. Stuhia e kategorisë së parë është rreth 300 km në juglindje të Tampicos. Erërat e saj, sipas qendrës kombëtare të uraganeve, mbërrijnë shpejtësinë prej 140 kilometra në orë. (Semra Ajeti, TVM2)