Maqedoni

26 vjet pavarësi, rrugëtimi i vështirë i Maqedonisë

08.09.2017 15:51

Krizat politike të viteve të 80-ta dhe konfliktet ndëretnike të viteve 90 sollën shpërbërjen e Ish-federatës Jugosllave...

Luftërat në këtë periudhë anashkaluan Maqedoninë, e cila e qetë nga konfliktet e armatosura që ishin  ndezur tashmë  në ish-republikat e tjera, hyri në një fazë të re. Më 8 shtator të vitit 1991 u organizua referendumi për pavarësi, i cili u bojkotua nga shqiptarët, pasi Kushtetuta e definonte Maqedoninë vetëm si shtet të maqedonasve, për dallim nga Kushtetuta komuniste e vitit 1974, sipas të cilës edhe shqiptarët ishin popull shtet-formues me të drejta të barabarta me maqedonasit.
 
Kushtetuta ishe vlerësuar si gjenerator i shumë krizave që e përcollën Maqedoninë deri në shpërthimin e konfliktit në vitin 2001, konflikt që u mbyll me një marrëveshje paqësore, që çoi në ndryshimin e Kushtetutës me një ridefinim të ri të Maqedonisë, por sërish me probleme, para së gjithash ato që lidheshin me gjuhën shqipe dhe të drejtat tjera kolektive të shqiptarëve, si etniteti e dytë shumicë në popullatën dymilionëshe të vendit. Për shkak të karakterit multietnik dhe multikonfesional, marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend kanë qenë subjekt i vëzhgimeve të ndryshme.
 
Multietniciteti, si karakteristikë kryesore e shtetit, ishte një sfidë e madhe për elitat politike, por edhe për shoqërinë në tërësi, në aspektin e sigurimit të barazisë dhe të të drejtave të bashkësive etnike, luftë kjo që vazhdon edhe 26 vite pas shpalljes së pavarësisë.  Anëtarësimi në BE dhe NATO, ndërtimi i institucioneve në shërbim të qytetarëve dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe cilësisë së jetës, mbeten qëllimet strategjike të vendit. Përveç problemeve të brendshme etnike e sociale, Maqedonia që nga periudha e pavarësisë është përballur edhe me probleme me fqinjët e saj.
 
Greqia ende nuk e pranon emrin, për shkak se maqedonasit e tanishëm, sipas Athinës, nuk kanë asnjë lidhshmëri me maqedonasit antik, por edhe për shkak të kontesteve tjera. Probleme kishte edhe me Bullgarinë për shkak të gjuhës, ndërsa me Serbinë lidhur me kishën. Probleme të hapura Maqedonia nuk ka vetëm me Shqipërinë dhe Kosovën.
 
MERITA GASHI