Pavlopulos: Maqedonia të respektojë të drejtën europiane, Shqipëria shkel të drejtën e minoritetit grek

08.09.2017 16:10

Athina zyrtare vazhdon të sulmojë Maqedoninë për konfliktin e pambyllur rreth emrit....

Presidenti, Prokopis Pavlopulos, gjatë një darke zyrtare për nder të presidentit Makron që vizitoi kryeqytetin grek, tha se përdorimi i emrit kushtetues nga vendi fqinj vë në dyshim kufijtë e një vendi anëtar të Unionit.

“Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, po e ndjekim perspektivën e saj europiane, nuk po flasim vetëm për respektimin e historisë, por kur një vend përdor një emër, vë në dyshim kufijtë ekzistues të vendit anëtar të Bashkimit Europian, kështu nuk mund të ketë perspektivë europiane pasi nuk respektohet e drejta europiane”,- deklaroi presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos.

Presidenti grek, ndërkohë, nuk ka lënë anash edhe pretendimet për shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, duke përmendur specifikisht problemet e pronësisë në Himarë.

“Shqipëria fqinje duhet të gjejë vendin e saj në BE, por me respekt të plotë tek të drejtat europiane. Dhe një prej shtyllave të të drejtave europiane janë të drejtat themelore të njeriut. Kur shikojmë shkelje të tilla të të drejtave themelore, siç është për shembull e drejta e pronësisë, si është e mundur që Greqia të favorizojë një perspektivë të tillë europiane të një shteti që shkel të drejtat europiane”,- tha presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos.

Marrëdhëniet e Greqisë me fqinjët e saj veriorë kanë qenë shpesh temë akuzash nga ana e presidentit grek, Pavlopulos. (Rexhep Qamili, TVM2)