Meksikë, rritet në 60 numri i të vdekurve nga tërmeti
Tre ditë zije në Meksikë për 60 viktimat e tërmetit katastrofal prej 8.2 shkallësh sipas rihterit...

Tërmeti më i fortë prej një shekulli në Meksikë goditi bregdetin jugor të vendit, me çrast përveç 60 viktiamve la të plagosur edhe të paktën 200 të tjerë, ndërsa presidenti Enrique Pena Nieto tha se bilanci makabër s’është ende përfundimtar.
“Fatkeqësisht ka raporte për viktima dhe dëme të mëdha materiale, të cilave nuk i vendosim dot ende një shifër. Këtë do ta bëjmë në orët dhe ditët në vijim, kur të jenë më të qarta pasojat e tërmetit”, tha Enrique Pena Nieto, presidenti i Meksikës.
Lëkundja sizmike prej 8.2 ballësh e kishte epiqendrën në Paqësor, rreth 90 km në jugperëndim të zonës së Pijijipanit.
Tërmeti shkaktoi panik mes popullsisë dhe njerëzit vrapuan të tmerruar në rrugë, ndërsa lagje të tëra mbetën në errësirë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Lëkundja e fuqishme e tokës zgjati thuajse një minutë. Pas lëkundjes kryesore, u regjistruan edhe disa lëkundje dytësore, më e forta e të cilave 5.7 ballë.
Pas katastrofës nga tërmeti Meksika kërcënohet tani në bregun lindor nga uragani “Katia”, i cili po afrohet me erëra që mbërrijnë shpejtësinë 140 km/h.
