Botë
Vritet kandidati për deputet i PDK-së Elvis Pista
15.06.2014 19:25
Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista...

Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista, është vrarë në Rahovec mbreme vone, për motive ende të panjohura.
Vrasja është raportuar nga Policia e Kosovës, ndërkohë që një komunikatë e policisë në Rahovec, bën të ditur se rreth orës 00:45, në oborrin e restorantit “Haja Petrol” ka ndodhur një vrasje.
“Sipas informatave të para nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se E. P. nga Rahoveci kishte qenë në restorant me disa të njohur dhe, sapo kishte dalë nga objekti, së bashku me bashkëshorten dhe të njohur të tjerë, me të cilët kishte qëndruar në restorant, është qëlluar nga pas me armë zjarri, në një distancë rreth pesë metra largësi”, thuhet në komunikatë.
Pista besohet të ketë qenë në një festë familjare, kur është qëlluar katër herë në parkingun e automjeteve. Nuk dihen ende motivet e vrasjes, as autorët e krimit. Pista ka qenë djali i vetëm i familjes, i martuar, por ende pa trashëgimtar. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka dënuar vrasjen e kandidatit për deputet të PDK-së në zgjedhjet e përgjithshme, Elvis Pista.
Presidentja Jahjaga thekson se aktet e këtilla cënojnë rendin dhe sundimin e ligjit. Jahjaga kërkon nga organet e ndjekjes kapjen e autorëve të vrasjes dhe sjelljen e tyre para drejtësisë. Vrasjen e Pistes e kane edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi si dhe te gjithe lideret politik.
