Botë

Vetëvendosje, qeveria u zgjodh pasi mori lejen nga Beogradi

10.09.2017 13:04

Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi ka vlerësuar se “ata që e duan pushtetin më shumë se Kosovën e formuan Qeverinë...

Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi ka vlerësuar se “ata që e duan pushtetin më shumë se Kosovën e formuan Qeverinë pasi morën lejen nga Beogradi”.

“Sot ata që e duan pushtetin më shumë se Kosovën, më në fund arritën ta formojnë një qeveri, pasi që erdhi “leja” nga Beogradi. Si e tillë, kjo qeveri kontrollohet nga Vuçiqi”, shkruan Vetëvendosje.  

“Ata thanë se po kërkojnë bashkëpunim me opozitën shqiptare, që të mos mbeten peng i Beogradit, por edhe kjo është gënjeshtër. Kryetari i PAN-it, Kadri Veseli, shkeli rregulloren duke mos e votuar mocionin e opozitës. Ndërkaq PAN-i votoi që opozitës t’i hiqej mundësia për të diskutuar. Kjo tregon se ata nuk kanë asnjë respekt për opozitën, dhe se janë autokratë të pandreqshëm”, thekson Vetëvendosje.

Kjo parti ka paralajmëruar që të mos sillen në Kuvend temat si Demarkacioni e Zajednica.

“Në parimet programore të paraqitura, nuk parashikohet asnjë instrument financiar apo ekonomik në ndihmë të zhvillimit. Ata aty thonë se do të vazhdojnë privatizimet. Pra programi i tyre është vazhdim i dështimit neoliberal që solli krizën në Kosovë e në botë. Ne e dimë se kjo qeveri i ka punët pisk. Por u bëjmë thirrje, as mos t’u shkojë ndërmend të sillni në Kuvend “temat e mëdha”, Zajednicën, Demarkacionin, Kosovën C me një kthim shumëpërqindësh të garantuar për privatin, apo privatizimet. Ne i kemi ndalur këto kur ishim pak, tani ne jemi dyfish më të fortë e qeveria dyfish më e dobët. Mos i hapni telashe të reja vendit”, thotë Vetëvendosje.

Kjo parti shprehet e gatshme të votojnë çdo propozim që i ndihmon punësimit, mirëqënies, e afrimit të shqiptarëve me Shqipërinë.