Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, pak ditë deri në zyrtarizimin e kandidaturave
11.09.2017 12:11
Kanë mbetur vetëm edhe tre ditë deri në dorëzimin në KShZ të listave të kandidatëve të partive politike për zgjedhjet lokale, që skadon mesnatën e 14 shtatorit...

Partitë shqiptare janë në përzgjedhjet e fundit të emrave të kandidatëve. Dy parti do të garojnë me kryetarët e tyre në këto zgjedhje lokale.
Ziadin Sela në Strugë, për momentin ka përballë vetëm Pëllumb Vlashin e PDSh-së dhe ende pret emrat e kandidatëve të partive të tjera.
Në Tetovë “Besa” garon me kryetarin e saj, Bilall Kasamin. Teuta Arifi përflitet si një nga kandidatët seriozë të BDI-së edhe për një mandat, por duket se në garën brendapartiake dega e Tetovës do të kandidojë edhe biznesmenin Ibraim Dehari. PDSh garon me nënkryetarin e partisë deputetin Bardhyl Dauti.
Në garë për Tetovën është edhe Adnan Neziri nga Aleanca për Shqiptarët. Në Gostivar, BDI rikandidon Nevzat Bejtën, që do ketë përballë Arben Taravarin e Aleancës, Sabajdin Izeirin e PDSh-së dhe Asaf Ademin e “Besës”. Në Kërçovë BDI rikandidon Fatmir Deharin, që deri tani duket se nuk do të ketë kundërkandidat shqiptar.
Në Dibër, BDI rikandidon Ruzhdi Latën, përballë Arben Agollit të Aleancës, Xhemail Çupit të “Besës” dhe pritet që kandidat në Dibër të caktojë edhe Uniteti dhe PDSh. Në Çair, BDI garon me zëvendësministrin aktual të arsimit, Visar Ganiun, “Besa” me Zeqirija Ibrahimin dhe Aleanca me Faruk Avdiun.
Në Haraçinë, BDI garon me Isuf Bislimin, Aleanca me Hisen Ramadanin, “Besa” me Ali Ismailin dhe LSDM me Milikije Halimin. LSDM ka edhe një tjetër kandidat shqiptar në garë për Likovën. Me mjaft interes priten edhe kandidaturat e tjera shqiptare nga LSDM, gjë që do e çojë garën për votën shqiptare në një drejtim të ri.
Të përfunduara thuajse janë edhe listat e partive shqiptare edhe për shumë komuna të tjera dhe të mbeturat janë në fazën e finalizimit. Në komunën e Gazi Babës dhe Çashkës dhe në Manastir, BDI, Aleanca dhe BESA dolën me listë të përbashkët për këshillin komunal, për të përfituar maksimumin e votës shqiptare.
Edhe LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë publikuar shumicën e emrave të kandidatëve, përfshi ato për kryeqendrën ku do të garojnë Petre Shilegov për LSDM-në dhe Koce Trajanovski për VMRO-DPMNE-në.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
