Haradinaj merr zyrtarisht postin, takimi i parë me ambasadorin amerikan. BE: Institucionet, reformat dhe marrëdhëniet me fqinjët
Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë zyrtarisht detyrën e lartë nga paraardhësi i tij, Isa Mustafa...

Mustafa ia dorëzoi dosjen qeveritare dhe më pas i uroi atij që t’i kryejë detyrat shtetërore, përfshirë edhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim në BE.
Kryeministri Haradinaj mbajti edhe takimin e parë në postin e ri, atë me ambasadorin amerikan, Greg Delaue. Pranim-dorëzimi i posteve është mbajtur edhe në disa ministri të tjera.
Bashkimi Europian ndërkohë ia ka kujtuar Haradinajt punët që e presin si kryetar i ekzekutivit. Nga ai kërkohet të nisë menjëherë përpjekjet për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë. Është thelbësore që Kosova të punojë për kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave, marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, rolin aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe të punojë së bashku me Beogradin për të çuar përpara dialogun e lehtësuar nga BE. Në fund theksohet edhe njëherë perspektiva europiane e Kosovës, si dhe fakti që vendi nuk ka kohë për të humbur.
