Maqedoni

Vendi i opozitës në KShZ, miratohet propozim-ligji i “Besës” në lexim të parë

11.09.2017 14:37

Me 64 vota “për” dhe me asnjë “kundër”, Kuvendi miratoi propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor në lexim të parë të dorëzuara nga Lëvizja “Besa”...

Me 64 vota “për” dhe me asnjë “kundër”, Kuvendi miratoi  propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor në lexim të parë të dorëzuara nga Lëvizja “Besa”.
 
Nga koordinimi mes partive politike është arritur marrëveshje për ndryshime të Kodit Zgjedhor, në pjesën ku parashikohet përbërja e anëtarësisë së KShZ-së, gjegjësisht në vend të anëtarit të PDSh-së në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare të emërohet anëtari i Lëvizjes “Besa”. 
 
“Ne bashkërisht me subjektet e tjera më të mëdha politike u morëm vesh që ta precizojmë këtë ligj, që jo vetëm në prag të këtyre zgjedhjeve por edhe në të ardhmen të mos ketë lëshime por përbërja e KShZ-së të jetë konform Kodit Zgjedhor dhe të shkojmë në zgjedhje gjithmonë duke e paraparë përbërjen që është paraparë me Kodin Zgjedhor”,- tha deputeti i Lëvizjes “Besa”, Afrim Gashi.
 
Nga LSDM thonë se me këto ndryshime me afate të shkurtuara për zgjedhje të anëtarit të ri të KShZ-së do të mund të arrihet që para zgjedhjeve lokale të emërohet anëtari i ri i Komisionit nga “Besa”.
 
"Me vendosjen e dispozitave për shkarkim të përfaqësuesve politikë në KShZ, në mënyrë që të mund të ripasqyrohet gjendja në KShZ,  dy përfaqësues të partisë më të madhe në pushtet, një nga e dyta, dy nga partia më e madhe opozitare dhe një nga e dyta opozitare për nga madhësia, në këtë rast përfaqësues i cili do të duhet para fillimit të procedurës zgjedhore ta emërojë “BESA”",- theksoi Petre Shilegov nga LSDM.
 
Ndryshimet e kërkuara në Kodin Zgjedhor i mundësojnë Lëvizjes “Besa”, që është partia më e madhe e opozitës shqiptare në përbërjen aktuale në Kuvend, të marrë vendin e Bedredin Ibraimit të zgjedhur nga  PDSh-ja në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. 
 
REXHEP QAMILI