Memeti: Standardet në burgje, prioritet urgjent; Stojçevski: Kushte nën standard, nuk kemi as uniforma; Zaevi: Ligji për amnisti, shumë shpejt para qeverisë
Kryeministri Zaev ka vizituar burgun e Idrizovës me ftesë të Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit në Maqedoni...

Zaevi e ka cilësuar katastrofale gjendjen në burgjet e vendit, ndërsa gjendjen në të cilën risocializohen të burgosurit si jashtë çdo standardi. Burgu i Idrizovës ka një kapacitet prej 850 të burgosurish por në të vuajnë dënimin aktualisht 1 mijë më shumë. Kjo ndikon jo vetëm në kushtet në të cilat ata risocializohen, por edhe në mënyrën e shërbimeve mjekësore apo të sigurisë.
Avokati i popullit, Ixhet Memeti, thotë se vazhdimisht ka alarmuar për gjendjen në burgje, por nuk ka pasur sens politik për t’i përmirësuar gjërat. Ai shpreson se ekzekutivi i ri do të veprojë urgjentisht për të përmirësuar këtë gjendje, veçanërisht me problematikën imediate dhe mbipopullimin e burgjeve.
“Edhe pse në shikim të parë deklaratat shkojnë në atë drejtim se do rregullohen kapacitetet e burgut, nuk mjafton vetëm kjo. Sistemi i burgut nuk është vetëm kjo, nuk mjafton vetëm të ndëshkosh dhe t’u krijosh kushte, por duhet që personat që kanë rënë ndesh me ligjin t’ia kthejmë shoqërisë”,- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.
Nga Sindikata e Burgjeve ankohen se edhe ata që kujdesen për të burgosurit kanë kushte nën çdo standard.
“Na quajnë persona të autorizuar e nuk kemi asnjë autorizim. Kemi vetëm një minibus për 2000 të burgosur dhe ai është në defekt. Në 10 vite as uniforma të reja nuk kemi marrë. Kemi të drejtë sipas ligjit të mbajmë armë, por sipas ligjit të ri nuk kemi të drejtë për ato armë. Kemi rroga të vogla dhe nuk na paguhet puna jashtë orarit”,- u shpreh kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Antonio Stojçevski.
Për gjendjen e të burgosurve kryeministri Zaev e sheh zgjidhjen tek Ligji për amnisti, që duhet të vlejë për të burgosurit që kanë 30% të dënimit të papërfunduar, por jo edhe për rastet e rënda kriminale apo të terrorizmit. Tashmë rreth kësaj teme po diskutojnë shoqatat joqeveritare dhe opinionet e tyre i kanë dhënë zyrtarisht edhe Avokati i Popullit dhe Ministria e Drejtësisë.
“Pres që të vijë shumë shpejt në qeveri e ta kalojmë më pas në parlament dhe në debate të hapura për të diskutuar edhe rreth standardeve ndërkombëtare dhe asaj që sipas ligjit e presin njerëzit. Unë jam pro këtij ligji, por dua të respektoj vendimin e institucioneve”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Urania Pirovska nga Komiteti I Helsinkit thotë se në Idrizovë nuk vlejnë ligjet e shtetit por ligjet e burgut. U ankua se vazhdon punësimi partiak në funksionet drejtuesve të burgjeve dhe i kërkoi kryeministrit Zaev të punojë fuqishëm për sanksionimin e korrupsionit në burgje.
BESIM ABDULLAI
