Maqedoni
Tenderi i ELEM-it, VMRO: Angushev për një ditë fitoi 2.6 milionë; Tanturovski: nuk ka konflikt interesi, është çështje etike
11.09.2017 16:50
VMRO ka akuzuar zëvendëskryeministrin Angjushev se po shfrytëzon buxhetin dhe paratë e qytetarëve për të shtuar pasurinë e tij prej 30 milionë eurosh...

Sipas VMRO-së, Angjushev, përmes kompanisë shtetërore ELEM, i ndau tenderin prej 2.6 milion eurosh firmës së tij “Feroinvest”.
“Derisa qytetarët e zakonshëm mezi kalojnë muajin me pagën mesatare, multimilioneri Angjushev për një ditë fitoi 2.6 milion euro. Derisa firmat e tjera punojnë 10 deri në 30 vite për të fituar 1 milion euro, Angjushev për vetëm një ditë fitoi 2.6 milionë falë faktit që është zëvendëskryeministër në qeverinë Zaev, nga ku mund të ndikojë në vendimet e institucioneve”,- deklaroi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
Kreu i Anti-korrupsionit, ndërkohë, vlerëson se në pajtim me Ligjin për parandalimin e korrupsionit, nuk ekziston përplasje interesash në rastin me Kompaninë "Feroinvest", pronar i të cilës është zëvendëskryeministri Angjushev, e cila ka marrë pjesë në tenderin e ELEM-it.
Sipas Tanturovskit, megjithatë, duhet të merret parasysh aspekti etik dhe moral i këtij rasti.
"Pajtohem me të se firma duhet të vazhdojë të punojë, se atje ka rreth 800 persona të punësuar dhe se kjo është punë normale që ata të vazhdojnë të punojnë, por pjesën etnike dhe morale si zëvendëskryetar i Qeverisë këtë duhet ta mbajë vetëm pronari i firmës. Dhe tani, nëse firma duhet të vazhdojë të punojë me shtetin ose mund të punojë me shumë firma të tjera private, kjo veç më është pjesë e etikës”,- u shpreh kryetari i Komisionit Anti-Korrupsion, Igor Tanturovski.
Zëvendëskryeministri Angjushev dje deklaroi se nuk ka përplasje interesash me Kompaninë "Feroinvest", sepse ai nuk menaxhon me kompaninë dhe nuk dëshiron të ketë asnjë beneficion nga posti i tij si zëvendëskryeministër.
GYLTENE SINANI
