Maqedoni

Pr/ligji për përdorimin e gjuhëve, VMRO: ligji është antikushtetues; Shaurek: zbatimi i MO-së, kusht për integrim

11.09.2017 17:36

Debati për pr/Ligjin për përdorimin e gjuhëve është zhvendosur në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive...

Debati për pr/Ligjin për përdorimin e gjuhëve është zhvendosur në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, por me të njëjta kundërshtime mes shumicës dhe opozitës.
 
Sipas deputetëve të opozitës, ligji është jashtëkushtetues dhe nuk ka të bëjë me procesin eurointegrues për të mbajtur simbolin e BE-së. 
 
“Pikërisht Komisioni për sistem politik duhet të jetë komisioni amë për këtë ligj, pasi mes kompetencave që i numërohen Komisionit për sistem politik shqyrton dhe diskuton çështjet që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhëve të bashkësive të përfaqësuara më pak. Ky ligj del jashtë asaj që është paraparë me kushtetutë”,- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
Ligji mban shenjën e BE-së dhe ka marrë pëlqimin e Komisionit amë, prandaj duhet të trajtohet si i tillë, thotë kryetari i Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive nga radhët e LSDM-së.
 
“Komisioni amë, Komisioni për çështje europiane konstatoi se ky ligj është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtejshëm”,- tha Aleksandar Kiracovski nga LSDM.
 
Qëllimi kryesor i miratimit të ligjit është shndërrimi i vazhdueshëm i ndryshimeve kushtetuese në tekste ligjore lidhur me përdorimin dhe aplikimin e alfabetit dhe gjuhës që flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë, thekson propozuesi.
 
Ndër ndryshimet, që parashihen me ligj, është edhe përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha procedurat në gjyqësi.  
 
“Rregullohet në tërësi përdorimi i gjuhës edhe në procedurat parahetimore dhe hetimore, në komunikim gojor dhe me shkrim”,- theksoi këshilltari shtetëror në MD, Valentina Shaurek.
 
Ligji paralelisht rregullon parimet, metodat dhe llogaridhënien e institucioneve për të lejuar përdorimin zyrtar të gjuhës dhe alfabetin e saj që flasin së paku 20% e qytetarëve vis a vis të drejtën e qytetarëve për të përdorur dhe për të aplikuar gjuhën në procedurë zyrtare.
 
Në të njëjtën kohë rregullohet edhe përdorimi i gjuhëve të tjera që fliten nga qytetarë të komuniteteve që janë më pak se 20%.
 
SHPËTIM NUREDINI