Maqedoni

Rruga në Drenoc, banorët kërkojnë rifillimin e punimeve

11.09.2017 18:37

Ndërtimi i rrugës së re në Drenoc të Tetovës ka përplasur banorët...

Grupi i parë javën që lamë pas kërkoi ndërprerjen e punimeve me arsyetimin se komuna tenton të ndërtojë në prona private. Ata madje penguan edhe inspektorët komunalë që shoqëronin ekipet punuese për rrugën  plotësuese që lidh këtë lagje me qytetin.
 
Por, të tjerë banorë të lagjes kërkojnë vazhdimin e punimeve për hapjen e rrugës, që, sipas  tyre, hapja e kësaj rruge do të lehtësonte shumë lëvizjen e lirë.
 
Grupi i dytë i protestuesve kërkon që punimet në rrugë të vazhdojnë sipas planit urbanistikë që ka komuna, e nga kjo e fundit kërkojnë të zgjidhë çështjen me pronarët e tokave ku duhet të kalojë rruga.
 
“Komuna e Tetovës këtë lagje e kanë lënë pas dore, po pse nuk vjen në konstatim me kryetarët e bashkësive lokale, pasi unë jam ai që kam kërkuar dhe kërkoj për popullin jo për xhepin. Baza e planit urbanistik duhet të realizohet, të hapë rrugë pas saj, të çojë edhe ujësjellësin. Fëmijët nuk kanë nga të shkojnë në shkollë, për ata fëmijë kam punuar 41 vite, t’u bëj shkollën, t’u bëj rrugën, sot fëmijët e lagjes Drenovec ecin nëpër baltë”,- deklaroi kryetari i Bashkësisë Lokale – Drenoc, Bajram Kuçi.
 
“Ka ndërtuar dikush këtu nëpër prona, nuk ka para komuna, gjithmonë ma kanë thënë këtë, se nuk ka para të paguajë pronat e huaja dhe të hapet rruga sipas planit të paraparë. Ka tre vite që është futur plani urban për ndryshim të bllokut katër shkaku i pronave, për t’u shpërthyer rruga e Ratjaes atje nëpërmjet kazermës, atje që e ka uzurpuar”,- tha një banor.
 
“Zgjidhje afatgjate është që vetëm rrugë të hapet sipas planit urbanistik, plani urbanistik ekziston, rrugët janë të vizatuara, mirëpo iniciativë nuk ka, deri më tani kemi lëvizur nga lagjja tjetër”.
 
Nga komuna nuk u përgjigjën kërkesës së tyre me arsyetimin se kryetarja Arifi nuk gjendet atje për momentin. Por, premtuan se shumë shpejt do të marrin masa për ta zgjidhur problemin me pronarët e tokave përmes të cilave duhet të kalojë lidhja e re rrugore.
 
VISAR SADIKI