Maqedoni
Anulohet seanca për rastin “Monstra”
12.09.2017 12:06
Për herë të katërt në Gjykatën Supreme anulohet seanca gjyqësore publike për rastin “Monstra”...

Këshilli gjyqësor në këtë rast si arsyetim të anulimit të seancës theksoi mungesën e transportit të njërit nga të akuzuarit në seancë. Avokati mbrojtës, Naser Raufi, nuk e beson këtë arsyetim dhe sipas tij kjo dëshmon për joseriozitetin e gjykatës për këtë rast.
Avokatët mbrojtës edhe më tej presin që në këtë rast përfaqësues i akuzës të jetë Prokuroria Publike Speciale, pasi tani më është hequr pengesa e mosbashkëpunimit mes Prokurorisë Shtetërore dhe asaj Speciale.
“Po, kjo është hera e katër që anulohet, që tregon një joseriozitet nga vetë Gjykata dhe unë mendoj se kanë mundur ta sigurojnë punën e transportit deri më tani. Kanë pasur mundësi. Ne i presim provat e reja, jemi të sigurtë që ekzistojnë, vetëm nuk e dimë se kur Prokuroria Speciale do të involvohet në këtë rast dhe vetëm provat që do t’i sjellë PPS do ta zbardhin këtë rast, që është më se e qartë se është i montuar. Presim që PPS ta marrë këtë lëndë dhe nuk e dimë arsyen se pse deri më tani nuk ka kërkuar ta marrë, se mendojmë se e ka kompetencën për ta përfaqësuar akuzën në këtë lëndë”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
“E veçanta e këtij rasti, që ishte potencuar nga ana e përfaqësuesit të akuzës që është dukuri mjaft e rrallë, është se ai që ndjek vete të kërkojë anulim në kohë të pacaktuar me qëllim vërtetimin e gjendjes faktike dhe sigurimin e dëshmive, ndërsa koha do të tregojë se si do të jetë epilogu i kërkesës”,- tha avokati mbrojtës, Sasho Dukovski.
Ndryshe, Prokurorja Publike e angazhuar në rastin “Monstra”, Liljana Spasovska, njëherit dhe ushtruese e detyrës në vend të Marko Zvrlevskit, më 30 maj kërkoi nga Këshilli Gjyqësor në këtë rast të veprojë në mënyrë të drejtë dhe ligjore dhe të kërkojë fakte të reja që posedon Prokuroria Speciale për këtë rast. Seanca e radhës për rastin “Monstra” do të mbahet më 3 tetor.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
