Bërglez: Sllovenia mbështetje Maqedonisë, ka faktorë që i ngadalësojnë integrimet në BE; Xhaferi: Të rritet bashkëpunimi mes parlamenteve
Është e domosdoshme që Maqedonia të bëjë hapa....

Është e domosdoshme që Maqedonia të bëjë hapa më të guximshëm sa u përket eurointegrimeve.
Stabiliteti i rajonit do të jetë më i madh nëse të gjitha shtetet e formuara nga shkatërrimi i ish-Jugosllavisë do të jenë pjesë e këtyre integrimeve. Kështu deklaroi kryetari i Kuvendit të Sllovenisë, Milan Bërglez, gjatë fjalimit para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. Por, ai shprehu keqardhje se ka edhe faktorë të politikës ndërkombëtare që i ngadalësojnë eurointegrimet.
“Për fat të keq, në bashkësinë ndërkombëtare ekzistojnë faktorë që i ngadalësojnë proceset eurointegruese, ndërsa Sllovenia dëshiron t’i përshpejtojë. Faktor kyç që i ngadalëson proceset eurointegruese të Maqedonisë është përçarja në BE mes perëndimit dhe lindjes. Kjo është më e rëndësishme se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja”,- deklaroi kryetari i Kuvendi të Sllovenisë, Milan Bërglez.
Para se t’u drejtohet deputetëve, kryeparlamentari slloven, Bërglez, u prit në një takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ku krahas mbështetjes për eurointegrimet, po ashtu falënderoi Maqedoninë për ndihmën në zgjidhjen e krizës me migrantët.
"Gëzohem dhe besoj se me daljen tuaj nga kriza garantohet punë më e mirë e institucioneve në shtetin tuaj",- tha kryetari i Kuvendi të Sllovenisë, Milan Bërglez.
Kryeparlamentari Xhaferi në takim ka njoftuar homologun e tij slloven me punën e Kuvendit, për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe për dinamikën e Kuvendit në pajtim me planin 3-6-9 të Qeverisë.
"Lidhur me bashkëpunimin dypalësh është konkludim i përbashkët se është i mirë, por duhet të thellohet dhe të zgjerohet sidomos në pjesën ku si kryetar kuvendesh mund të kontribuojmë në diplomacinë parlamentare",- u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Kryeparlamentari slloven realizoi takime edhe me kryeministrin, Zoran Zaev, zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani, dhe me presidentin, Gjorge Ivanov. (Gyltene Sinani, TVM2)
