Maqedoni
Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, Spasovski: Shumë shpejt para deputetëve
12.09.2017 15:42
Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve do të pësojë shumë shpejt ndryshime dhe plotësime, njoftoi sot ministri i Brendshëm, Oliver Spasosvki...

Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve do të pësojë shumë shpejt ndryshime dhe plotësime, njoftoi sot ministri i Brendshëm, Oliver Spasosvki, në llogaridhënien e punës së resorit që drejton në 100 ditët e para. Para disa muajsh ndryshime ligjore kërkoi edhe Prokuroria Speciale, por nuk u votuan nga shumica në Kuvend. Specialja alarmon se dëshmitarët nuk janë të mbrojtur dhe duhen ndryshime urgjente ligjore.
“Teksti për propozim-ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve tashmë është përgatitur dhe MPB merr pjesë në të me grup të punës”,- tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
MPB ndërkohë ka kërkuar dorëheqjen e Toni Jakimovskit nga Organizata Ndërkombëtare SELEK. Sipas tij, funksioni i Jakimovskit do të thotë rrënim të reputacionit ndërkombëtar për Maqedoninë edhe pse deri në fund duhet respektuar prezumcioni i pafajësisë.
“Më mirë të mos kemi drejtor në SELEK, sesa të kemi një me dosje kriminele që të na qeshë e gjithë Europa. Askush nuk akuzon askënd, por në një organizëm që lufton kriminalitetin dhe korrupsionin nuk mund të kemi njeri të tillë. Më e pakta që mund të presim është që ai vetë të japë dorëheqje”,- tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Spasovski pranon se në MPB ka njerëz me dy identitete që punojnë për shërbimet, por nuk deshi të japë detaje nëse edhe Goran Grujevski hyn në këtë listë, pasi hetimet për rastin kundër tij janë në rrjedhë.
Spasovski, ndërkohë, njoftoi edhe se MPB ka refuzuar kërkesën e kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit, që të marrë 20 truproje, me arsyetimin se nuk ekzistojnë kërcënime të sigurisë për Gruevskin.
Numri i truprojave do të mbetet aq sa i takon me ligj, gjashtë. Spasovski ka paralajmëruar edhe fundin e drekave e darkave luksoze për funksionarët e MPB-së. Ai thotë se janë ulur mjetet për reprezentacion, e në vend të harxhimeve joproduktive, me këto mjete do të blihen rroba të reja për policët, që tashmë një dekadë nuk kanë pasur uniforma e këpucë të reja.
FLUTURA LATIFI
