Maqedoni

Ambasada e ShBA-ve në Shkup përkujton viktimat e 11 shtatorit

12.09.2017 16:15

Për të përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në ShBA, tanimë 9 vite me radhë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup...

Për të përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në ShBA, tanimë 9 vite me radhë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Qytetit dhe Institutin për Transfuziologji, organizoi Ditën Kombëtare të Shërbimit dhe Përkujtimit, pjesë e të cilës janë aksioni për dhurimin e gjakut, grumbullimi i produkteve ushqimore dhe veshmbathjeve.
 
Dhuruesit e gjakut, ushqimeve të konservuara dhe veshmbathjeve të ruajtura u pritën në Ambasadën e ShBA-ve në Shkup, me ç’rast ambasadori, Jess Baily, tha se humanizmi është forma më e mirë për t’i përkujtuar viktimat e 11 shtatorit.
 
“Mendoj se është një ditë e përshtatshme për të kujtuar ata që i humbëm dhe kjo është mënyra më e mirë për t’i rikujtuar, pra nëpërmjet humanizmit”,- tha ambasadori i ShBA-ve në Shkup, Jess Baily.
 
Përmes këtij aksioni në shërbim të komunitetit, donatorët ndihmojnë Kryqin e Kuq dhe Institutin për Trasfuziologji të rimbush rezervat e gjakut.
 
“Ne si institut për transfuziologji dhe Kryqi i Kuq, na u mundësua të jemi pjesëtarë aktivë në këtë aksion humanitar, duke e kryer misionin tonë, për të siguruar mjaftueshëm gjak, për pacientët që kanë nevojë gjatë gjithë vitit”,- tha drejtori i Institutit për Transfuziologji, Koço Dimitrovski.
 
“Ta vazhdojmë traditën e cila ka zgjatur tashmë 9 vite dhe u bë sinonim i përgjigjes së sfidave. Përmes aksionit të sotëm për dhurimin e gjakut ndihmojmë në bashkimin e njerëzve duke eliminuar të gjitha dallimet, sepse nëpërmjet humanizmit arrihet kjo, ky është edhe mesazhi që duam sot ta dërgojmë prej këtu”,- theksoi kryetari i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.                                                                                                                                           
“Ministria e Mbrojtjes edhe këtë vit së bashku me një numër të konsiderueshëm të stafit të saj civil dhe pjesëtarëve të njësive të forcave të armatosura dhuruan gjak për nderë të të gjithë viktimave dhe për nderë të atyre që më së shumti kanë nevojë”,- u shpreh zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.
 
Në vitin 2009, përmes ligjit dypartiak federal, Kongresi i ShBA-ve shpalli 11 shtatorin Ditë Kombëtare të Shërbimit dhe Përkujtimit.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU