Shkupi mbrëmë u përball me erë të fuqishme, dëme të konsiderueshme në Sfillare të Epërme
Moti i lig që kaploi mbrëmë disa pjesë të Shkupit....

Moti i lig që kaploi mbrëmë disa pjesë të Shkupit, rrëzoi minaren dhe dëmtoi çatinë e xhamisë së fshatit Sfillare e Epërme. Për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar, mirëpo nga era e fuqishme dëmet në këtë xhami konsiderohet të jenë rreth 3 mijë euro.
“Është dëmtuar çatia e xhamisë dhe pjesa e fundit e minares, ndërsa nga rrëzimi i minares në disa pjesë tjera është dëmtuar edhe objekti i poshtëm i xhamisë. Gjithashtu është dëmtuar edhe gardhi i oborrit të xhamisë, por fatmirësisht nuk patën dëme në njerëz, pasi që në atë moment të gjithë ishim brenda xhamisë”,- deklaroi imami i xhamisë, Bekim Dibrani.
Banorët e fshatit, para kamerës sonë kanë rrëfyer për frikën dhe panikun që kanë përjetuar mbrëmë gjatë motit të lig. Era e fuqishme e cila ka zgjatur më pak se 2 minuta, thonë ata, ka shkaktuar dëme edhe në çatinë e shkollës fillore dhe në pronat private të banorëve të këtij fshati. Shumë prej banorëve sot i riparonin dëmet.
-“Nata e mbrëmshme ishte tmerr për të gjithë ne këtu. E pamë me sytë tanë fuqinë e Zotit. Patëm shumë frikë dhe panik në shtëpi. Sipas meje,tek rreth 15% të shtëpive çatitë janë dëmtuar mbrëmë”,- u shpreh një banor i fshatit Svillare.
-“Dëmet janë të shumta, qeramidet janë thyer, ndërsa dhomat brenda janë mbushur me ujë. Të gjitha sendet shtëpiake i kemi nxjerrë përjashta”,- theksoi një banor i fshatit Svillare.
-“Reshjet e mbrëmshëm nuk zgjatën shumë, mirëpo për 2-3 minuta u shkatërruan shumë gjëra dhe u bënë shumë dëme në fshat. Minaren e xhamisë e kam ngjit me shtëpinë time, por fatmirësisht është rrëzuar nga ana tjetër. Gjysma e murit të shtëpisë time është futur brenda shtëpisë, muri ka lëvizur afër 15 cm”,- tha një banor i fshatit Svillare.
Banorët e këtij fshati thanë se deri tani nuk mbajnë mend të ketë ndodhur një stuhi e tillë e cila për më pak se 2 minuta ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. (Rexhep Qamili, TVM2)
