Maqedoni
Ndarja e pushtetit nga partia, Ganiu dorëhiqet nga posti i zëvendësministrit
12.09.2017 17:24
Edhe pse fushata zgjedhore fillon zyrtarisht më 25 shtator, partitë veç më kanë hyrë në ethet e garës...

Për të parandaluar çdo prezantim mediatik të zyrtarëve të emëruar në poste të ekzekutivit gjatë kësaj periudhe, që mund të merrej si keqpërdorim i posteve aktuale për fushatë zgjedhore, BDI ka vendosur që funksionarët e saj me poste aktuale në ekzekutiv të japin dorëheqje, për t’u përqendruar në fushatën për zgjedhjet lokale.
Zëvendësministri i Arsimit, Visar Ganiu, tashmë ka dhënë dorëheqje nga posti tij. Sipas Ganiut, parimi i ndarjes së shtetit nga partia është një nga principet e BDI-së.
“Planifikoj ta zbatoj në tërësi dhe që sot të jap dorëheqjen nga posti zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e RM-së. Këtë nuk e vlerësoj vetëm si detyrim, por edhe si një akt moral, me të cilin ne që pretendojmë të fitojmë verdiktin e popullit, dëshmojmë sinqeritetin dhe ndershmërinë, pse jo edhe përgjegjësinë”,- tha Visar Ganiu nga BDI.
Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, do të marrë pushimin vjetor që të përkushtohet në fushatën e partisë së tij.
“Duhet të sigurojmë kushte që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre politik në mënyrë të pavarur. Për këtë qëllim ndarja e partisë nga shteti është një nga kriteret më të rëndësishme që parashihet si detyrim në Planin 3-6-9, parim të cilit ne i kushtojmë vëmendje të madhe. Që në zgjedhjet e vitit 2013, kandidatët e atëhershëm ishin ministra dhe dhanë dorëheqje, është parim të cilin e ka nisur BDI dhe mban konsistencën në këtë drejtim, sot e bëmë këtë hap me kandidatin më favorit për këto zgjedhje”,- u shpreh zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
ERSAN PAJAZITI
