Pr/ligji për përdorimin e gjuhëve, është apo s’është kushtetues?! Vazhdon debati
Komisioni kuvendor për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive....

Komisioni kuvendor për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive vazhdoi debatin për Projekt-ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të parë.
Sipas propozuesit, qëllimi kryesor për miratimin e ligjit është zbatimi konsekuent i amendamenteve kushtetuese në tekstin e ligjit për përdorimin dhe zbatimin e gjuhës që e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve dhe alfabetin e saj.
Edhe deputetët e shumicës parlamentare thonë se projekt ligji bazën e ka në amendamentin pesë të kushtetutës, i cili deri tani nuk është zbatuar plotësisht.
“Çështja e rregullimit të gjuhës dhe të gjuhëve të bashkësive të cilat janë më pak se 20% është zgjidhur hap pas hapi, nuk është rrumbullakuar seri tani, konform amendamentit pesë të kushtetutës”,- deklaroi Rexhail Ismaili nga BDI.
Mirëpo deputetët e opozitës së kryesuar nga VMRO-DPMNE vazhduan me akuzat se shumica përpiqet përmes simbolit të BE-së të kontrabandojë një ligj antikushtetues.
“Këtë ligj përpiqeni ta kaloni vjedhurazi. Ligj i karakterit të këtillë fillimisht duhet të kalojë në Komisionin për sistem politik si komision amë, pastaj në të gjitha komisionet tjera. Ligji, i cili duhet të miratohet me dy të tretat e votave, shënohet me simbolin e BE-së që ta votoni me shumicë të thjeshtë. Kjo nënkupton kalim ligji vjedhurazi”,- tha Nevenka Stamenkova nga VMRO-DPMNE.
Praktika e deritanishme ka treguar zbatim jokonzistent të rregullativës juridike, me ç'rast është konstatuar nevoja për rregullimin e materies me të cilën rregullohet përdorimi i gjuhëve dhe për të cilat shkaqe Qeveria e RM-së propozon ligj të ri për përdorimin e gjuhëve, thekson propozuesi, duke shtuar se përcaktimi për integrimin evropian të Maqedonisë në mënyrë të pashkëputshme lidhet me nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Me këtë pr/ligj, njëherësh rregullohet edhe përdorimi i gjuhëve të tjera që i flasin qytetarët e bashkësive të cilat janë më pak se 20 për qind.
Dritë jeshile për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me lexim të parë, javën e kaluar dha Komisioni për Çështje Evropiane. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
