“Irma” iku, çereku i shtëpive në Florida ikën me uraganin
Të evakuuarit e uraganit “Irma” kanë nisur të kthehen në ishujt “Florida Keys”, por ajo që kanë gjetur ka qenë përtej të imagjinueshmes...

Çereku i shtëpive janë zhdukur nga faqja e dheut, ndërtesat e mbetura kanë të gjitha dëme serioze. “Irma” shkaktoi 22 viktima në ShBA, 15 prej të cilëve në Florida.
Bilanci i viktimave është shtuar me 5 të moshuar, që vdiqën në një shtëpi pleqsh të mbetur për disa ditë me radhë pa energji.
Policia evakuoi të mërkurën rreth 120 banorë nga objekti, të cilin uragani “Irma” e la pa ajër të kondicionuar. Ekipet e shpëtimit dhe kërkimit po shqyrtojnë zonat e goditura më rëndë, në kërkim të njerëzve që mund të kenë mbetur të izoluar.
Rreth 90 mijë banorë që po kthehen në ishujt “Florida Keys” dhe në zonën “Miami Beach” janë paralajmëruar se shumica e stacioneve të karburantit janë mbyllur dhe sinjali i telefonave celularë nuk është i rregullt.
Autoritetet thanë se rreziku tashmë ka kaluar dhe nuk mund t’i ndalojnë njerëzit që të kthehen në banesat e tyre, por ata duhet të kuptojnë se shërbimet janë shumë të kufizuara, pasi nuk ka energji elektrike dhe ujë në shumë zona.
Rreth 6.9 milionë shtëpi mbetën pa energji elektrike në Florida, Georgia, Karilonën e Jugut dhe atë të Veriut dhe Alabama.
Ishujt “Florida Keys” u përballën me forcën kryesore të “Irmës” dhe, ndërsa njerëzit po kthehen atje, autoritetet po kontrollojnë gjendjen teknike të 42 urave që i lidhin me kontinentin, për t’u siguruar se e kanë kaluar stuhinë me sukses.
