Botë
Shqipëri, votohet Qeveria e re, debate e replika në seancën maratonë
13.09.2017 16:23
Pas 21 orë diskutimesh, Kuvendi shqiptar votoi me 78 vota pro e 51 kundër kabinetin e ri qeveritar të drejtuar nga Edi Rama dhe programin e tij qeverisës për 4 vitet e ardhshme...

Debati kaloi mes replikave të ashpra. Kryeministri ironizoi opozitën për kundërshtimin që i bëri programit qeverisës, ndonëse nuk ngurroi edhe njëherë t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit. Me gjithë kundërshtinë e kryeparlamentarit Ruçi, Lulzim Basha foli përpara deputetëve po aq sa kryeministri, duke hedhur poshtë programin e prezantuar nga qeveria.
“Dora jonë do të vazhdojë të shtrihet ndaj jush, edhe s’keni parë gjë akoma. Më vjen keq që unë nuk bëra dot asnjë dallim mes fjalëve tuaja sot dhe atyre që thatë 4 vjet më parë po këtu. Nuk çuditem as për këtë, mirë nuk më vjen që nuk sfiduat për asnjë çast qeverinë e re me artikulimin e qoftë edhe vetëm me një gjë të re”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Edi Rama, këtu ke ardhur të kërkosh votëbesimin e Parlamentit, nuk ke ardhur të flasësh në emrin tim, as në emër të opozitës, dhe nuk mund të flasësh kurrë. Është shprehje e shterpësisë totale të fletushkës që ke paraqitur në vend të programit dhe e mungesës totale të programit që karakterizoi jo vetëm fushatën, por edhe pas fushatës që 10-minutëshin e fundit para këtij Kuvendi e zgjodhe për sulme dhe diversione ndaj opozitës dhe të tjera llafe dhe vetëm llafe boshe”,- u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
