Malajzi, zjarr në një shkollë, 24 viktima
24 nxënës e mësues kanë gjetur vdekjen mes flakëve që shkrumbuan një shkollë fetare në Kuala Lumpur të Malajzisë...

Flakët nisën në 5:40 të mëngjesit, me orën lokale, tragjedia ka marrë udhë pikërisht në kompleksin e fjetoreve, ndoshta nga një qark i shkurtër apo djegia e një pajisjeje kundër mushkonjave.
Viktimat mbetën të bllokuar në fjetoret e tyre, dritaret e të cilave janë të mbyllura me kangjella.
22 prej të vdekurve janë nxënës, që të gjithë djem të moshave nga 13 deri në 17 vjeç. Dëshmitarët tregojnë se fëmijët ulërisnin për ndihmë, por askush nuk mundej t’i ndihmonte.
Ndërtesa është djegur tërësisht. Kreu i departamentit të zjarreve e cilësoi ngjarjen si fatkeqësinë më të rëndë të këtij lloji në vend prej 20 vjetësh.
Shkaku i aksidentit nuk është zbardhur ende dhe autoritetet ende po vazhdojnë hetimin.
