Maqedoni
Rasti “Kumanova”, Raufi: Skenar i shërbimeve sekrete
14.09.2017 15:34
Shërbimet sekrete qëndrojnë prapa skenarit më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Kumanovë, ka theksuar para trupit gjykues në fjalët e tij përfundimtare avokati mbrojtës, Naser Raufi...

Ai theksoi se bisedat e nxjerra nga përgjimet për rastin janë të selektuara teksa mungojnë bisedat kruciale, është momenti kur dorëzohet grupi i dytë. Ajo që nuk ka pasur luftime më 10 maj, ashtu siç pretendon Prokuroria, e konfirmojnë edhe deklaratat kontradiktore nga strukturat e sigurimit si dëshmitarë të koduar, pasi anëtarët e grupit thonë se janë dorëzuar në mbrëmjen e 9 majit.
“Unë personalisht si avokat nuk besoj se ka pasur luftime më 10 maj, kjo është punë e inskenuar, e finguar nga strukturat e sigurimit. Mendoj se kjo është një kauzalitet me këtë që e ceka më herët, është shumë punë dubioze se a kanë qenë të likuiduar mbas dorëzimit apo kanë humbur jetën në vet luftimet. Unë mendoj se luftime më nuk ka pasur, kanë mbaruar natën më 10 maj”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Raufi gjithashtu shpreh dyshimin në obduksionin për Beg Rizajn dhe Mirsad Ndrecajn, e cila nuk tregon kohën dhe largësinë prej ku është qëlluar, moment krucial ky për të vërtetuar nëse ai është vrarë gjatë luftimeve apo likuiduar pas arrestimit, ashtu siç pohojnë pjesëtarët e tjerë të grupit.
Ai thotë se u refuzua Stojanço Angellov i propozuar për dëshmitar, me qëllim të tregojë rreth njohurive të tij lidhur me rastin, por nuk u pranua nga Gjykata si shumë dëshmitarë të tjerë.
“Unë jam edhe më tutje i bindur që shërbimet sekrete e kanë bërë skenarin e rastit, d.m.th. është një montim dhe këta të akuzuar janë të manipuluar. Ideja nuk ka qenë të bëhet asnjë lloj konflikti apo luftimi, por thjesht është dashur të shpallet komunikata për mosimplementimin e Marrëveshjes së Ohrit, asnjë punë, asnjë motiv tjetër”,- u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 18 shtator.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
