Maqedoni
Masa për punësimin e të rinjve, Carovska: 16 mln euro deri në fund të vitit; Vinton: papunësia rrit migrimin e të rinjve
14.09.2017 16:52
Për masat aktive për punësim, me të cilat duhet të përfshihen 41.562 persona të papunësuar...

Për masat aktive për punësim, me të cilat duhet të përfshihen 41.562 persona të papunësuar, deri në fund të vitit janë siguruar 16 milionë euro, përfshi dy milion me rebalancin e buxhetit.
Theksi në këto masa është vendosur në rritjen e punësimit të të rinjve deri në moshën 29 vjeçare, deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, duke e prezantuar revizionin e Planit operativ për këtë vit.
“Theks të veçantë vendosim te papunësia e të rinjve, ju japim mundësinë 140 persona të rinj të papunë për "start ap" bizneset me nga 10 mijë euro mjete të pakthyera, masën që në mikro dhe bizneset e vogla të mund të krijojnë 250 vende të reja pune. 400 persona do të kyçen në punën e dobishme shoqërore, me çka do të krijohen shërbime në nivel lokal, ndërsa në mënyrë shtesë mbi 1.0000 të rinj do të marrin mbështetje aktive nga mentorë të rinj të biznesit me qëllim që të kenë karrierë më të suksesshme për biznes personal ose për punësim”,- deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.
Ministri paralajmëroi se vazhdon mbështetja edhe e personave me nevoja të veçanta dhe informoi se ata do të marrin mundësi që të shfrytëzojnë grand prej 4,5 mijë eurove për hapje të biznesit të tyre ose për gjenerim të 150 vendeve të reja pune. Një pjesë të këtyre masave i mbështet edhe UNDP.
“UNDP dhe familja më e madhe e Kombeve të Bashkuara e mbështet angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Maqedonisë për zgjidhjen e problemit të papunësisë, që edhe ne vlerësojmë se është sfida më e madhe për vendin, pasi përqindja e papunësisë dhe mungesa e vendeve kualitative të punës është e lartë, sidomos për të rinjtë”,- u shpreh përfaqësuesja e UNDP-së, Luiza Vinton.
Papunësia i nxit të rinjtë në migrim, tha Vinton, sipas të cilës një hulumtim i UNDP-së i vitit të kaluar ka rezultuar se 61,5 për qind e të rinjve nga 15 deri më 29 vjeç e shohin të ardhmen jashtë Maqedonisë.
GYLTENE SINANI
