Analistët: Opozita e paorganizuar
Qëndrimi politik i padefinuar dhe i paorganizuar i partive opozitare shqiptare në Maqedoni, është mangësi e madhe dhe dëm për ardhmërinë e qytetarëve shqiptarë në vend, vlerësojnë analistët.......

Qëndrimi politik i padefinuar dhe i paorganizuar i partive opozitare shqiptare në Maqedoni, është mangësi e madhe dhe dëm për ardhmërinë e qytetarëve shqiptarë në vend, vlerësojnë analistët.
Sipas analistit politik, Ismet Ramadani, partitë politike opozitare shqiptare duhet të vendosin që të kenë një lidership, i cili do të jetë më i përgjegjshëm në organizimin e tyre dhe përgjegjësia të shkojë deri aty sa që aktiviteti politik të mos përkufizohet vetëm në interesa eventuale grupore dhe individuale, por të ketë ide, program, veprim politikë dhe alternativë me partinë politike shqiptare në pushtet.
“Tani vetë partia më e madhe në opozitë, në këtë rast PDSH-ja, duhet të riorganizohet dhe jam i bindur se aty duhet edhe lidershipi të ndryshon dhe pastaj të hapë mundësi që edhe partitë tjera më të vogla shqiptare t’i bashkëngjiten, ose eventualisht në reformim ose formim të ndonjë partie të re, të bëhet ndonjë bllok i partive politike opozitare, por me lider të cilët nuk e kanë vështirë të bashkëbisedojnë, të bashkëpunojnë, të bashkërendisin aktivitetet e tyre dhe me një alternativë dhe ofertë, e cila do të ishte joshëse ose e kapshme për elektoratin shqiptar”, deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
Edhe analisti, Ivica Bocevski, vlerëson se duke marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, është i nevojshëm konsolidimi i opozitës shqiptare.
“Anketat tregojnë se në qoftë se PDSH-ja zgjat dorën deri te të gjitha fraksionet, të cilat u shkëputën nga PDSH-ja, respektivisht ndaj Rudi Osmani, Imer Selmani, por edhe te disa individ, të cilët më herët ishin të lidhur me PDSH-në e madhe, nëse mund ta quajmë ashtu, anketat tregojnë se zgjedhësit ndoshta në një strukturë të tillë do të ishin pandan ndaj BDI-së qeveritare, megjithatë, që të ndodhë diçka e tillë, janë të nevojshme edhe ndryshime programore dhe kadrovike nga kjo anë”, potencoi analisti politik, Ivica Bocevski.
Edhe Ramadani edhe Bocevski vlerësojnë se organizimi i opozitës shqiptare do të forcojë me pozitën vetë opozitës, por edhe pozitën e partisë shqiptare në pushtet ndaj partnerit maqedonas. (Mefail Ismaili, TVM2)
