Ndryshimet në KShZ, Ibraimi: ndryshimet në Kodin Zgjedhor, joligjore
Bedredin Ibrahimi, anëtar i deritanishëm i PDSh-së në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, e ka cilësuar si joligjor tentimin për shkarkimin e tij nga KShZ...

Ibraimi ka dërguar kërkesë deri tek kryeparlamentari Xhaferi për shfuqizimin e vendimit të shpalljes së konkursit për emërim të anëtarit të ri në KShZ. Ibraimi vlerëson se mandati i tij ende nuk ka përfunduar dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë joligjore.
Kjo, sipas tij, është parregullsia e parë e zgjedhjeve lokale të 15 tetorit.
“Për ta sjellë vendimin kundërthënës, së pari duhet të sillet vendim për shkarkimin e anëtarit të KShZ-së dhe më pas të shpallet konkurs për anëtarë të ri. Vendimi i Kuvendit është joligjor”,- tha Ibrahimi.
Për të është e çuditshme se si ligjet nuk respektohen pikërisht nga organi ligjdhënës. Ai pohon se me ndryshimet në Kodin Zgjedhor sulmohet një anëtar i KShZ-së, duke u harruar fakti se ndryshime të tilla implikojnë edhe përzgjedhjen e tre anëtarëve të tjerë që vijnë si propozim i përbashkët i pushtetit dhe opozitës.
Ibraimi përkujton edhe nenin e Kodit Zgjedhor, sipas të cilit nga data e shpalljes së zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre rreptësisht ndalohet fillimi i çfarëdolloj procedure për ndërprerje të marrëdhënieve të punës për të punësuarit në institucionet shtetërore.
Paralajmëroi se do të ankohet në Komisionin për anti-korrupsion, Inspektoratin e punës dhe gjykatat kompetente. Kuvendi miratoi vendimin për emërimin e një anëtari të ri në KShZ, sipas të cilit, vendin e Bedredin Ibrahimit nga PDSh duhet ta marrë një përfaqësues i Lëvizjes BESA, si partia e dytë me më shumë vota tek shqiptarët.
