Maqedoni

Kuvend, fillon diskutimi i ligjit për gjuhët, Dimovski: Ligji është antikushtetues; Manajlloski: s’është ligji problem, por urrejtja; Shilegov: VMRO sajon për pikë politike

14.09.2017 17:36

Dështuan tentimet e opozitës për të penguar diskutimin mbi projektligjin për përdorimin e gjuhëve...

Pas shumë kërkesave për të hequr nga rendi i ditës këtë projektligj dhe kërkesave të njëpasnjëshme për pauza të gjata, Kuvendi filloi diskutimin e projektligjit për gjuhët. Sipas opozitës, ligji është antikushtetues, tejkalon MO-në dhe është futur në Kuvend me shumë shkelje procedure.
 
“Ky ligj në 90% të neneve është antikushtetues. Del jashtë kornizave të MO-së dhe amendamentit 5, përkatësisht nenit 7 të Kushtetutës së RM-së, me të cilët rregullohet çështja për përdorimin e gjuhëve të bashkësive në RM”,- u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
Mirëpo sipas deputetit të BDI-së, Branko Manjlloski, problemi nuk qëndron te ligji por te urrejtja ndëretnike. “Këtë e kam përjetuar në lëkurën time”,- tha Manajlloski. 
 
“Bëhet fjalë për urrejtje nacionale, nuk është problem ligji për gjuhën. Është urrejtje kombëtare. Unë këtë e di më së miri, pasi siç kam thënë jam shqiptar, por jam rritur si maqedonas dhe e kam parë se çdo të thotë urrejtje nacionale”,- theksoi Branko Manajlloski nga BDI.
 
Ndërkaq, deputeti i LSDM-së, Petar Shilegov, konsideron se VMRO po bën politikë ditore, duke sajuar satanin nga çështje të paqena vetëm për të frikësuar qytetarët se po shkatërrohet shteti. 
 
“Bëtë shtrigën nga ajo që askush tani nuk e përmend, nga Platforma e Tiranës. Tani po bëni shtrigën nga ligji për gjuhët. Nesër do gjeni ndonjë temë me të cilën do të frikësoni qytetarët nga skenarë epokaliptikë të shkatërrimit të shtetit vetëm për të përfituar ndonjë pikë politike”,- tha Petre Shilegov nga LSDM.
 
Projektligji për përdorimin e gjuhëve ndezi debat të ashpër edhe në Komisionin për sistem politik edhe në Komisionin për çështje europiane. Edhe në seancë plenare janë paraqitur mbi 70 deputetë për diskutim. Çdo paraqitje shoqërohet me disa replika, kundër replika dhe vërejtje procedurale.    
 
SHPËTIM NUREDINI