Maqedoni
Partitë gati të gjitha kandidaturat, në mesnatë skadon afati për dorëzimin e listave
14.09.2017 18:13
Kanë ngelur vetëm edhe disa orë deri në skadimin e afatit të përcaktuar me ligj që partitë politike të dorëzojnë dokumentacionin...

Kanë ngelur vetëm edhe disa orë deri në skadimin e afatit të përcaktuar me ligj që partitë politike të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë KShZ-së me kandidatët e tyre me të cilët do t’i futen garës zgjedhore të 15 tetorit. Ata thonë se po përgatisin dokumentacionin dhe publikuan edhe emrat e kandidatëve.
“Për ne janë tejet të rëndësishme zgjedhjet lokale, pasi që qytetarët drejtpërdrejt zgjedhin përfaqësuesit të cilët në mënyrë të përditshme duhet të ofrojnë zgjidhje për hallet dhe kërkesat e qytetarëve që ata i përfaqësojnë. Ne kemi bërë konsulta të vazhdueshme, konsulta permanente me strukturat me pjesë të organeve të BDI-së, në mënyrë që të zgjedhim kandidatët të cilët më së miri do të përfaqësojnë dhe artikulojnë e materializojnë interesat e qytetarëve që ata i përfaqësojnë”,- deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
“ASh mbrëmë përfundoi dhe rrumbullakoi procesin e organizimit dhe vendimit brendapartiak me organizimin dhe mbajtjen e kuvendit qendror të partisë, me ç’rast u verifikuan dhe u konfirmuan kandidaturat tanimë të njohura për opinionin edhe më herët. Ne në këto zgjedhje jemi munduar që të kemi një ofertë shumë konkurrente në aspekt të jetës politike”,- theksoi Naim Bajrami nga Aleanca Për Shqiptarët.
“Për Lëvizjen BESA këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme në të cilat ne do të garojmë. Jemi në përfundim të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm që në afat të caktuar kohor, ashtu siç edhe e kërkon rregullorja, t’i dorëzojmë të gjitha kandidaturat”,- theksoi Faton Fazliu nga Lëvizja BESA.
“PDSh në këto zgjedhje lokale të 15 tetorit do të garojë në 25 komuna. Gjithandej ku ka shqiptarë ne kemi përgatitur lista për këshilltarë dhe kandidatë për kryetarë komunash. Vetëm në Bërvenicë ne do ta përkrahim kandidatin e pavarur për shkak se rrezikohet kjo komunë të humbet nga shqiptarët”,- u shpreh Bekim Fazliu nga PDSh.
“VMRO-DPMNE në zgjedhjet lokale do të dalë me ofertën më të mirë dhe cilësore, me kandidatë për krerë komunash dhe këshilltarë. VMRO-DPMNE gjithmonë i jep prioritet individit dhe reputacionit të tij në shoqëri. Ne ofrojmë kandidatë të cilët kanë vizion dhe qëllim se si nga vendbanimi i tyre të krijojnë vend më të mirë për banim”,- tha Emil Dimitriev nga VMRO-DPMNE.
LSDM tashmë ka bërë publikë emrat e dy kandidatëve shqiptarë për këto zgjedhje, Milikije Halimin në Haraçinë dhe Hadi Osmanin, në Likovë.
Për qytetin e Shkupit, LSDM ka kandiduar Petre Shilegovin.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 15 tetor, ndërsa afati për dorëzimin e kandidaturave skadon sonte në mesnatë.
NAIM RAMADANI
