Maqedoni
Tetovë - ujësjellësi filloi funksionimin, Lika: puna e komunës, nuk përfundon me ujin; Tetovë - ujësjellësi filloi funksionimin, Arifi: pritëm rezultatet e analizave të sistemit; Autoritetet me apel: ujë ka, por përdoreni në mënyrë racionale
14.09.2017 18:27
Ka filluar së funksionuari ujësjellësi i Tetovës, më saktë stacioni i filtrimit, duke i dhënë fund kështu vuajtjeve shumëvjeçare të banorëve për ujë të pijshëm...

Zëvendëskryeministri Lika përkujtoi se puna e institucioneve nuk përfundon vetëm me përfundimin e një projekti sado i rëndësishëm qoftë, por ato duhet të tregojnë se janë gjithnjë në shërbim të qytetarëve.
“Ky projekt tani më ka përfunduar dhe është në shërbim të qytetarëve, është projekt që ka qenë nevojë e qytetarëve. Një projekt i kamotshëm që ka qenë brengë e qytetarëve. Por, nuk duhet të përfundojë këtu. Institucionet e shtetit dhe ato lokale duhet të jenë në shërbim të qytetarëve për të përmirësuar jetën e tyre”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.
Përurimin e ujësjellësit në periudhën parazgjedhore kryetarja e Tetovës e arsyeton me faktin se janë pritur testimet e sistemit dhe analizat e ujit.
“Kemi pritur 20 ditë derisa kompania ndërkombëtare, që është pjesë me BB-në në ndërtimin e stacionit të filtrimit, të bëjë testimin e filtrave dhe derisa institutet për shëndet publik bënë analizat e ujit prej 200 litrash në sekondë, që do jenë në përdorim”,- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Nga ujësjellësi i Tetovës përkujtojnë se edhe pse tashmë ujë do të ketë, ai sërish duhet të përdoret me kujdes.
“Kemi një ujë shumë cilësor në stacionin e filtrimit dhe pavarësisht sistemit të ri në të ardhmen uji duhet të shfrytëzohet në mënyrë racionale”,- u shpreh drejtori i ujësjellësit.
Analizat vërtetuan se uji për pije në Tetovë plotëson standardet e parapara për përdorim për pije. Prej së mërkurës janë lëshuar në sistem 50 litra ujë plus dhe prej sot 50 litra të tjerë. Sasia do të shtohet gradualisht për të arritur funksionimin maksimal të sistemit.
FLUTURA LATIFI
