EKONOMI

Sektori privat përballet me mungesën e kuadrit profesional

16.06.2014 18:36

Kompanitë e vendit ankohen për problemet dhe vështirësitë në punësimin e kuadrove profesionale cilësore...........

Kompanitë e vendit ankohen për problemet dhe vështirësitë në punësimin e kuadrove profesionale cilësore.  Anëtarët e Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe të Këshillit për Investime të Huaja, vlerësojnë se sektori privat ka shumë nevojë për kuadro me arsim të mesëm profesional, por mungojnë kuadrot e tilla.

Sipas tyre, të rinjtë, të cilët dalin nga shkollat e mesme profesionale, nuk kanë trajnime të duhura dhe në përgjithësi nuk posedojnë njohuri të mjaftueshme  për  të kryer punë profesionale.

Mbi 61 për qind e kompanive kanë nevojë për punësimin e kuadrit me arsim të mesëm profesional, ndërsa vetëm 10 për qind  kanë nevojë  për punësim të personave me arsim të lartë. Mungesë e kuadrove profesionale vërehet në fushën e inxhinierisë, të tekstilit, rrobaqepësi,  minierave, laboratorisë, në sektorin e sigurimeve dhe saldatorëve.

"Problemet kryesore me të cilat përballen punëdhënësit dhe anëtarët tonë  gjatë punësimit të të rinjve, janë aftësitë joadekuate dhe mungesa  e njohurive elementare. Kjo gjë pengon  shumë rritjen ekonomike të  kompanive, sepse shpesh herë, sipërmarrësit janë të detyruar të shpenzojnë mjete financiare për trajnim plotësues të të rinjve. Kemi vërejtur po ashtu se kandidatët e ri, të cilët punësohen në sektorin privat, nuk janë të aftë për vendin e punës dhe nuk kanë trajnime të  nevojshme  për të kryer punën në fjalë”, deklaroi kryetari i Këshillit për Investime të Huaja,  Huan Pedro  Himez Navaro.

Biznesmenët propozojnë ndryshime në procesin arsimor profesional dhe kërkojnë subvencione për punësimin e të rinjve dhe financim të pjesërishëm të  rrogave për periudhën derisa të punësuarit e rinj ndjekin trajnime plotësuese.  

“Nëse Shteti ndan gati 120 milion euro në vit për ringjalljen  e bujqësisë, atëherë nuk shoh asnjë arsye të mos ndahen mjete financiare edhe për  kuadrot e të rinjve, të cilën do të punësohen në të ardhmen. Propozojmë ajo të jetë si një lloj subvencioni, me të  cilën në një farë mënyre do të financojnë pjesërisht rrogat dhe sigurimin gjatë trajnimit të tyre të sipërmarrësit”, theksoi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, Antoni Bishev.

Po ashtu, afaristët propozojnë që nxënësit, të cilët kanë përfunduar shkollat profesionale, të mund të regjistrohen  në universitete,  ndërsa  në arsimin e lartë të vendosen studime të shkurtuara  me kohëzgjatje prej dy deri në tre vjet. (Rexhep Qamili, TVM2)