Maqedoni

Ndarja e fajit, Trump shkakton sërish polemika

15.09.2017 11:31

Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti komentet e tij kontradiktore se të dyja palët ishin fajtore për dhunën e shkaktuar nga supremacistët e bardhë muajin e shkuar....

Presidenti deklaroi se tashmë që kanë kaluar disa javë, shumë njerëz po kuptojnë se ai ka të drejtë. Trump i bëri këto komente disa orë para se të nënshkruante një rezolutë që dënon supremacistët e bardhë, neonazistët dhe të tjera grupe urrejtjeje pas dhunës në Charlottesville më 12 gusht. 
 
Një grua humbi jetën atë ditë pasi një makinë u vërsul drejt turmës. Incidenti pasoi një protestë të së djathtës ekstreme të mbështetur nga supremacistët e bardhë dhe neonazistët. Në reagimin e parë pas dhunës, Trump tha se të dyja palët duheshin fajësuar dhe kjo shkaktoi një stuhi politike. Por, Trump iu kthye sërish komenteve të tij pas takimit me senatorin Tim Scott dhe tha se pikëpamjen e tij për situatën po e ndajnë gjithnjë e më shumë njerëz. 
 
Trump tha se edhe mes kundërprotestuesve kishte njerëz të këqinj që shkaktuan dhunë. Pasi firmosi rezolutën kundër supremacistëve  të bardhë dhe neonazistëve, Trump u shpreh i lumtur për këtë gjest që më herët ishte miratuar unamisht nga Kongresi./Top Channel