MAQEDONI

Shkatërrohen të mbjellat e familjes Murati në Çuçer Sandevë

16.06.2014 19:34

Familja Murati nga Luboteni i Shkupit, siguron jetesën nga arat e mbjella me duhan në Komunën e Çuçer Sandevës...........

Familja Murati nga Luboteni i Shkupit, siguron jetesën nga arat e mbjella me duhan në Komunën e Çuçer Sandevës.

Për dy muaj, ata kanë punuar në këto fusha nga mëngjesi deri në mbrëmje, që nga anëtari më i vogël i familjes e deri te më i moshuari dhe prisnin pas dy javësh të mblidhnin fitimet. Por, sot kur shkuan për të punuar duhanin, mbetën të shokuar.

Duhani ishte rrafshuar mbrëmë me traktor nga njerëz të panjohur dhe i gjithë mundi i tyre është shkatërruar.

“Ka ardh lajmi që ka ndodhë diçka problem dhe kur shkuam te ara e pamë që kanë hy me traktor, e kanë prish krejt duhanin, jemi lajmëru në polici dhe ata erdhën e kshyrën aty, i morën informatat dhe tani më tutje çka do të ndodhë varet prej policisë. Ne jemi 13 anëtarë të familjes dhe më i vogli është 10 vjeçar dhe prej aty kemi prit të marrim diçka, të jetojmë dhe s’kemi çka të bëjmë, s’ka pas para dy jave bostanin në Lisice e shkulën krejt dhe tash këtu na prishën edhe duhanin dhe ne tash s’kemi çka me punu mo”, - deklaroi bujku Ismet Murati.

Dëmi i shkaktuar kap vlerën prej gati 20 mijë euro, por ata i shqetëson më tepër fakti se dikush po  përpiqet me çdo kusht t’i detyrojë të braktisin këto fusha, e të ndjehen të pasigurt në tokat e tyre që i punojnë prej vitesh. 

“Rajoni ndodhet në Komunën e Çuçer Sandevës dhe tash mendimi atyre, a pse jemi shqiptarë apo çka është puna ata e dinë vetë. Dëm kemi të bëm shumë, afër 15 mijë euro, nuk është pronë e vogël, ka pasur 15 mijë metra vend”, - theksoi Murati.

Nga MPB-ja thonë se po punojnë në zbardhjen e rastit. (Besim Abdullai, TVM2)