Maqedoni

Zëvendëskryeministri Lika takon ambasadorin gjerman, Gerberich

15.09.2017 15:09

Zëvendëskryeministri për sistem politik, përgjegjës zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Hazbi Lika...

Zëvendëskryeministri për sistem politik, përgjegjës zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Hazbi Lika, realizoi takim me ambasadorin e sapoemëruar të  Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë, Thomas Gerberich. 
 
Ambasadori gjerman përgëzoi zëvendëskryeministrin Lika për detyrat ambicioze reformuese që ai ka marrë përsipër, duke e inkurajuar se me realizimin e tyre do të krijohet një atmosferë më e favorshme jetese për të gjithë banorët e vendit dhe kështu Republika e Maqedonisë do të jetë një hap para perspektivës evropiane. 
 
Bashkëbiseduesit shprehën opinione edhe për çështjen e  miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve, ligj i cili plotfuqishëm do të përfaqësojë komunitetet më të vogla në shtet dhe njëherësh do të përdoret si faktor promovimi i përfitimeve që rrjedhin nga bashkëjetesa midis komuniteteve. 
 
Zëvendëskryeministri Lika theksoi se përkrahja dhe mbështetja e Gjermanisë,  si dhe numri i madh i banorëve që jetojnë e veprojnë në Gjermani, janë një urë lidhëse e cila mundëson rritje të intensitetit të bashkëpunimit dypalësh dhe gjithëpërfshirës mes dy shteteve. “ Sfida më rrënjësore dhe aktuale është parandalimi i shpërnguljes së popullatës nga Maqedonia, për të cilën duhet të përkushtohemi maksimalisht për t’i mundësuar banorëve një standard jetese sa më të volitshëm”, shtoi z. Lika.
 
Ambasadori Gerberich tha se vendi i tij mbështet Maqedoninë në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik, thuhet në kumtesën e Sekretariatit për Sistem Politik.